I ftuar në “Live From Tirana” ka qenë sociologu Gëzim Tushi, për të diskutuar mbi një temë delikate, siç ishte rasti i artistes së madhe Tinka Kurti, e cila tashmë jeton në një shtëpi të moshuarish.
A duhet të përfundonte Tinka Kurti në shtëpinë e të moshuarve, pavarësisht fatkeqësive, pasi djali i saj i vetëm nuk jeton më? A kemi ne si shoqëri përgjegjësi morale, që një artiste të mos e lëmë të përfundojë në një shtëpi të moshuarish?
Si një sociolog e konsideroj si një ngjarje që shërbeu si një betejë për të diskutuar për një problematikë shumë serioze që ka shoqëria shqiptare, që lidhet me plakjen e popullsisë, me shtimin e numrit të të moshuarve që mbeten të vetmuar për arsye biologjike, ose për rrethana të tjera, për shkak të mungesës së martesës. Kështu që në këtë kontekst, unë e kam ndjekur me shumë vëmendje rastin e artistes së madhe Tinka Kurti, të cilën e kisha dhe fqinje. Përshëndeteshim çdo ditë me shumë krenari e me shumë respekt. Por që e kuptoja që gradualisht po i binte vitaliteti i saj, dinamizmi i saj i përditshëm, që dilte për kafe, psoniste, komunikonte, shkonte tek rrobaqepësia, se ishte me prirje estetike të mrekullueshme për veshjen. Por mesa duket mosha bën të sajën dhe kufijtë biologjikë të moshës nuk i mposht dot askush. Mirë është që njeriu të mos plaket kurrë, por moshimi është një lloj fataliteti që e kalon çdo njeri.
Rasti i personalizuar i aktores së madhe Tinka Kurti, duhet parë me shumë kujdes. Këto ditë kam parë shumë sensibilitet dhe shumë trajtesa, shumë intervenime me sentimentalizëm, me dashamirësi. Sigurisht unë i kuptoj të gjitha. Një person publik kaq i fuqishëm, kaq ndikues, ikonë në jetën artistike dhe kulturore të kombit tonë, doemos që do t’i prekte njerëzit. Duhet të jesh prej guri që të mos kuptosh dhimbjen që ndien kur shikon Tinka Kurtin që trajtohet në një shtëpi të moshuarish private, e cila është një shtëpi të moshuarish që ka kushte relativisht shumë më të mira se ç’kanë shtëpitë e të moshuarve publike. Por mendoj që duhet analizuar edhe problemi, sepse e para ka shkuar vullnetarisht, e dyta rrethanat sociale të saja janë të tilla që në njëfarë mënyre e determinonin që të gjente këtë zgjidhje. Sepse duke qenë e vetmuar, të birin e ka humbur, në kushtet e jetës së sotme ku izolimi e vetmia janë probleme shumë serioze. Imagjinoni që të jetosh i vetmuar në shtëpinë tënde, që ajo ka pasur një shtëpi të mirë se duke qenë një artiste e madhe ka pasur dhe komoditetin, por ishte vetëm. Ajo ka pasur nevojë për socializim.