Për shkak të zjarreve shkatërruese që po përhapen në Los Angeles dhe Kaliforninë Jugore, dy ngjarje të mëdha të industrisë së filmit kanë bërë ndryshime në oraret e tyre. Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka njoftuar se ceremonia për shpalljen e nominimeve për Çmimet e Oscars, e caktuar për më 17 janar, do të shtyhet për dy ditë, deri më 19 janar. Ky hap u mor pas shqetësimeve për sigurinë e anëtarëve të akademisë dhe stafit të angazhuar, pas situatës emergjente të shkaktuar nga zjarret.
Po ashtu, ceremonia e 30-të e Critics Choice Awards, e caktuar për më 12 janar, do të mbahet më 26 janar, gjithashtu për shkak të ndikimit të zjarreve që po shkatërrojnë Kaliforninë Jugore.
Eventi i riplanifikuar do të zhvillohet në Barker Hangar, Santa Monica, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në E!, ndërkohë që mund të ndiqet gjithashtu në platformën Peacock një ditë më pas.
Për sa i përket votimit për nominimet e Oscars, ky proces ka nisur të mërkurën, por është shtyrë me dy ditë për të ofruar më shumë kohë anëtarëve të akademisë. Votimi do të mbyllet më 14 janar, në orën 17:00 PT.
Ky njoftim vjen në një kohë kur zjarret, të cilat shpërthyen më 7 janar, kanë përfshirë edhe zonat ku jetojnë disa yje të njohur të Hollivudit, si Mark Hamill, Paris Hilton, Mandy Moore dhe James Woods, të cilët kanë shpallur evakuimin e shtëpive të tyre për të garantuar sigurinë e tyre.
Zjarret kanë shkaktuar pasiguri të madhe dhe kujtojnë pasojat e rreziqeve natyrore që mund të ndodhin në këtë pjesë të Kalifornisë.