Rajoni

Emigrantët e dëbuar nga SHBA do strehohen në Kosovë, Kurti: Sot qeveria miratoi vendimin, në 1 vit do pranohen 50 individë

Qeveria në Kosovë ka miratuar vendimin për pranimin e emigrantëve të dëbuar nga SHBA-ja, ku për 1 vit do të strehohen 50 prej tyre.

Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Albin Kurti, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se vendimi është miratuar ditën e sotme.

‘Si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë, sot e përkthyem në Vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të. Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes.

LEXO EDHE: As 30 tentime s’u mjaftojnë deputetëve për ta bërë Kuvendin e ri të Kosovës!

Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik’, shkruan ai.

Qeveria në detyrë e Kosovës konfirmoi më herët gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë, “në përputhje me kushtet e përcaktuara”.