Aktualitet

Euro në pikiadë! Monedha evropiane e mbyll javën me tjetër rekord negativ, po këmbehet me 95.4 lekë!

Monedha evropiane e mbyll javën në vlerat më të ulta historike të këmbimit të saj në lekë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro sot u këmbye mesatarisht me 95.4 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Shkaku kryesor i kësaj rënie sipas ekspertëve është goditja e tregjeve të huaja nga lufta SHBA-Izrael ndaj Iranit.

Në rënie e mbyll javën edhe dollari amerikan, i cili u këmbye me 81 lekë.

Kursi i këmbimit i ka “thyer” të gjitha ndërhyrjet që Banka e Shqipërisë ka bërë në treg për të blerë euro gjatë 2025-ës. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë blerë 1 miliard euro nga banka e Shqipërisë, vlera më e lartë historike, në rritje me 94.2 milionë euro krahasuar me 2024-ën.

LEXO EDHE: 23% e popullsisë në vend jetojnë me 681 lekë në ditë, ja çfarë mund të përballojnë!

Për shkak të zhvlerësimit të fortë të monedhës evropiane, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë më shpesh në treg. Vjet vetëm për të stabilizuar kursin e këmbimit tërhoqi nga tregu 729.1 milionë euro, një shifër rekord historike, por përsëri nuk solli ‘qetësi’ në kursin e këmbimit, pasi pozitat e euros përballë lekut u dobësuan më tej. Euro e mbylli vitin 2025 duke u këmbyer me 96.5 lekë nga 98.3 lekë në vitin 2024, ndërsa ky muaj u mbyll me këmbim mesatar në 96 lekë.

Nga ana tjetër për të rritur rezervën valutore vjet u blenë 297.9 milionë euro, ndërsa objektivi ishte për të tërhequr 270-350 milionë euro për këtë qëllim.

LEXO EDHE: Shqiptarët investuan 760 milion euro në pasuri të paluajtshme jashtë vendit, më 2023!

Rezerva valutore ka arritur në vlera rekord sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, pasi muajin shkurt preku vlerën 7.3 miliardë euro, nga 6.9 miliardë euro që ishte vjet në shkurt. Rezerva valutore shërben për të shlyer borxhin e qeverisë në valutë, për të mbështetur tregtinë ndërkombëtare dhe për të parandaluar apo zbutur lëvizjet e forta të kursit të këmbimit.