Celebrities Showbiz

Futbollisti i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut rrëfen tmerrin në Iran: “Pa ushqim dhe ujë, më shpëtoi Asani…”

Një rrëfim i fortë vjen nga futbollisti i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Stefan Ashkovski, i cili ka përjetuar nga afër tensionet dhe kaosin në Irani, mes bombardimeve dhe kufijve të mbyllur. Në një intervistë për mediat vendase, Ashkovski tregon se për tre ditë ka mbetur pa ushqim dhe pa ujë, ndërsa shpërthimet dëgjoheshin vazhdimisht mbi kokën e tij.

Isha vetëm në mes të luftës. Gjithçka rreth meje ishte frikë, rrënoja dhe panik.

Sipas tij, në momentet më kritike, ndihma i erdhi nga ish-bashkëlojtari Jasir Asani, i cili aktivizohet po ashtu në Iran. “Asani më shpëtoi. Pa të, nuk e di si do të kishte përfunduar kjo histori”, ka deklaruar Ashkovski, duke e cilësuar ndërhyrjen e tij vendimtare për largimin nga zona e rrezikut. Futbollisti rrëfen se arriti të largohej vetëm në çastet e fundit, mes pasigurive dhe vështirësive të shumta.

Ai shprehet i zhgënjyer edhe me drejtues brenda klubit iranian Persepolis F.C., duke pretenduar se nuk mori mbështetjen e nevojshme në një situatë që rrezikonte jetën. Dëshmia e Ashkovskit hedh dritë mbi anën e errët të profesionit të sportistit në kohë krizash, kur kontratat dhe ndeshjet zëvendësohen nga sirenat e alarmit dhe lufta për mbijetesë, larg familjes dhe çdo garancie sigurie.

Ndërkaq, trafiku ajror në Lindjen e Mesme vazhdon i bllokuar teksa Irani vijon kundërpërgjigjen duke lëshuar raketa dhe dronë drejt Izraelit e vendeve të tjera të rajonit ku gjenden baza ushtarake amerikane. Shumë vende perëndimore po përpiqen t’i evakuojnë mijëra shtetas të tyre që kanë mbetur të bllokuar në rajon pas nisjes së fushatës së gjerë ajrore nga Uashingtoni dhe Tel Avivi, më 28 shkurt. Departamenti amerikan i Shtetit tha se fluturimi i parë për evakuimin e shtetasve amerikanë u realizua sot nga Lindja e Mesme, por nuk dha hollësi të tjera.