Bota

Gjeorgjianët në protesta kundër kandidatit të djathtë për president!

Zona rreth ndërtesës së Parlamentit të Gjeogjisë është rrethuar duke u blinduar nga policë dhe qarkullimi i makinave nuk lejohet ndërsa protestuesit opozitarë janë mbledhur për protesta të mëdha. Në atë pjesë vihet re prani e madhe e forcave policore. Tubimi i kësaj të shtune vjen në kohën kur Kolegji Zgjedhor i dominuar nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane pritet të emërojë për president, ish-futbollistin, Mikheil Kavelashvili, një figurë me qëndrime të së djathtës ekstreme.

Protestat janë vazhdimësi e marshimeve të mbajtura pas zgjedhjeve parlamentare të disa javëve më parë. Presidentja aktuale e vendit dhe opozita besojnë se votimet u manipuluan. Kavelashvili, kandidati i vetëm për kryetar shteti, post ceremonial në Gjeorgji pritet të zgjidhet përmes votimit indirekt në parlament.

53-vjeçari njihet për qëndrimet kundër Perëndimit dhe kundër të drejtave për komunitetin LGBTQ+. Kavelashvili do të jetë pasardhës i presidentes aktuale, Salome Zurabishvili, e cila ka qëndrime pro-europiane dhe u është bashkuar protestave të opozitës, çdo ditë në dy javët e fundit.

Zurabishvili, e cila është bërë figurë e kundërshtuar nga partia në pushtet dhe e ka kritikuar Ëndrrën Gjeorgjiane për qëndrime çdo herë e më autoritare, tha se nuk do të largohet nga presidenca, pas inaugurimit të Kavelashvilit më 29 dhjetor.

Në parlament pritet të ndodhë një parodi, një zhvillim jokushtetues e aspak legjitim, u shpreh përmes një konference për media.

Sipas presidentes, zgjedhjet parlamentare u manipuluan me ndihmën e Rusisë. Kriza politike në Gjeorgji shpërtheu pasi Ëndrra Gjeorgjiane ka pretenduar fitore në zgjedhje ndërsa kriza është intensifikuar pas vendimit të kësaj partie për t’i pezulluar negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian deri në vitin 2027.

Autoritetet gjeorgjiane kanë tentuar të shtypin dhunshëm protestat, duke arrestuar qindra njerëz në dy javët e fundit. Dhuna ndaj protestuesve dhe gazetarëve është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Bashkimi Europian.