Policia vazhdon hetimet për të zbardhur shkaqet e masakrës së djeshme, me 8 të vdekur në Resulaj të Selenicës. Pas disa orësh në arrati, autori u kap mëngjesin e sotëm në një zonë periferike në dalje të Selenicës. Ritvan Zykaj është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë Vlorë për veprime të mëtejshme. Në momentin e arrestimit, 24-vjeçarit iu sekuestrua dhe arma kallashnikov, me të cilën ekzekutoi 8 të afërmit, të gjithë me mbiemrin Zykaj. Mes viktimave është vëllai i gjyshit të tij me bashkëshorten, dy djemtë e tyre me gratë, si dhe dy të mitur të moshave 9 e 17-vjeç, fëmijët e njërit prej çifteve që u vra nga Ritvan Zykaj. Gjatë ditës priten më shumë detaje lidhur me ngjarjen makabër.