Mbi 3500 banorë të Prrenjasit kanë firmosur peticionin për kundërshtimin e shkrirjes së bashkisë së tyre dhe bashkimin me Bashkinë e Librazhdit. Mbledhja e këtyre firmave është arritur në vetëm 48 orë.
Prrenjasi nuk është i vetmi që kundërshton ndryshimet e propozuara pasi edhe qytetarët e Devollit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj reformës.
Banorët e Devollit e kanë depozituar peticionin e tyre më herët se ata të Prrenjasit, duke dorëzuar një peticion të firmosur masivisht, që kërkojnë të mbeten bashki më vete.
Në raportin përfundimtar të paraqitur këtë të enjte në Kuvend nga Komisioni për Reformën Territoriale, citohet:
“Peticioni me firmosje masive i banorëve të Bashkisë Devoll, i shoqëruar nga mbështetja zyrtare e një shoqate atdhetare-kulturore me degë brenda e jashtë vendit, kërkon që Devolli të mbetet njësi më vete në hartën e re, që fshati Dardhë të përfshihet në të, si dhe votim me referendum popullor nëse kërkesa nuk miratohet nga Kuvendi. Diaspora e Hasit në Mbretërinë e Bashkuar, përmes kanaleve diplomatike, shprehu shqetësim për çdo ndarje të mundshme me territoriale të Hasit dhe implikimet e saj për kohezionin social dhe angazhimin e diasporës.
Bashkia Konispol, Këshilli Bashkiak i Poliçanit dhe një shoqatë vendore e po atij qyteti, një shoqatë nga Fushë-Arrëza dhe qytetarë të njësive administrative Manëz, Ishëm e Sukth (Durrës) kërkuan që konsultimi të zbresë më pranë komuniteteve të tyre, me argumentin se dëgjesat e përqendruara në qendrat e qarqeve kufizojnë pjesëmarrjen reale. Kërkesa nga Fushë-Arrëza shpreh njëkohësisht bindjen se bashkia ka arsye të mbetet njësi më vete, duke evidentuar potencialet natyrore dhe trashëgiminë e zonës.
Banorë e përfaqësues të Velipojës kërkuan ndarjen nga Bashkia Shkodër dhe krijimin e një bashkie më vete, me argumente distance, potenciali turistik dhe vendimmarrjeje më të afërt; një grup përfaqësues i krahinës së Shpatit (Elbasan) parashtroi argumente historike, me krahinore e demografike për një Bashki Shpat; një subjekt politik i lidhur me komunitetin maqedonas kërkoi krijimin e njësive të dedikuara për zonat e Gollobordës dhe të Gorës, me bazë identitare e minoritare dhe me referencë te rasti i Pustecit; dhe banorë të njësisë administrative Martanesh kërkuan kalimin e saj nga Bashkia Bulqizë të Bashkia Tiranë, me argumente lidhjesh etno-kulturore dhe zhvillimi ekonomik.”