Për 72 orë, kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda drejt Malit të Zi. Shoqata e Kamionistëve në vendin fqinj do të zhvillojë një protestë, e parashikuar të zgjasë tre ditë.
Kufizimet hyjnë në fuqi më 14.04.2026, në orën 09:30. Protokolli i sigurisë parashikon të ndalohet plotësisht kalimi i kamionëve e mjeteve të rënda të transportit të mallrave nga territori i Shqipërisë drejt Malit të Zi.
Do të lejohet kalimi normal i autoveturave (mjeteve të vogla), autobusëve, mjeteve të transportit të pasagjerëve, si dhe atyre të emergjencës.
Policia e Shtetit specifikon se ky vendim është marrë për arsye sigurie, me qëllim parandalimin e bllokimit të akseve rrugore dhe shmangien e incidenteve të mundshme gjatë zhvillimit të protestës në territorin fqinj.
Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë për respektimin e kësaj periudhe kufizimi, thuhet në deklaratën zyrtare, duke apeluar për bashkëpunim deri në përfundimin e plotë të manifestimit të shoqatës malazeze.
Drejtuesit e mjeteve të transportit të mallrave këshillohen të marrin masa për orientimin e udhëtimeve të tyre jashtë këtij afati kohor për të shmangur qëndrimet e gjata në pikat e kalimit kufitar.