Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se ekziston një emergjencë kombëtare në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara dhe se ai po dërgon më shumë trupa për të ndihmuar në sigurimin e kufirit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb avionët e ushtrisë po përdoren edhe për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm të ndaluar nga agjentët e emigracionit.
Një mijë e pesëqind trupa të ushtrisë amerikane u janë bashkuar atyre rreth 2 mijë e 500 që aktualisht ndodhen në kufirin jugor me Meksikën.
Presidenti Donald Trump po iu dërgon një mesazh shumë të qartë njerëzve në mbarë botën, nëse po mendoni të shkelni ligjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të ktheheni në shtëpi, do të arrestoheni e do të ndiqeni penalisht, u shpreh zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Administrata Trump thotë se trupat e dërguara në kufi do të ndihmojnë forcat e zbatimit të ligjit të vendosin nën kontroll të plotë kufirin, si dhe për vënien e pengesave fizike. Sipas zyrtarëve, më shumë trupa ushtarake priten të dërgohen në kufi në javët e ardhshme.
Ndërsa disa prej ushtarëve janë të armatosur për vetëmbrojtje, asnjë nuk do të arrestojë emigrantët që kalojnë kufirin, sepse ligji amerikan e ndalon ushtrinë ta bëjë një gjë të tillë. Por, ka edhe përjashtime. Presidenti mund të lejojë ushtrinë të kryejë arrestime, kontrolle dhe konfiskime brenda territorit amerikan, për të ndaluar atë që e quan “pushtim” të vendit nga emigrantët.
Trump nuk po krijon një problem që nuk ekziston. Ai është qartësisht i gatshëm të bëjë shumë më tepër më vendosjen e masave në kufi se të tjerët, veçanërisht paraardhësit e tij demokratë në Shtëpinë e Bardhë.
Forcat dhe mjetet e ushtrisë po përdoren për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm që janë ndaluar nga agjentët e emigracionit. Një zyrtar i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se dy ditë më parë, dy avionë ushtarakë amerikanë, secili me nga 80 emigrantë, fluturuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Guatemalës.