Aktualitet

Moti i keq, në Vlorë pezullohen lundrimet e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit!

Për shkak të kushteve atmosferike të paqëndrueshme, Kapiteneria e Portit në Vlorë ka njoftuar pezullimin për shkaqe sigurie të lundrimit për mjetet e vogla lundruese e të anijeve të peshkimit. Megjithatë, në njoftim theksohet se kjo masë nuk është e vlefshme për tragetet. Ato linjës Vlorë – Brindisi – Vlorë do të vijojnë të operojnë normalisht.

Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datës 17.04.2025 duke filluar nga ora 08:00 datë 17.04.2025 në drejtimin JUG-JUG-LINDJE në forcën deri bft me shpejtësi ere deri 15-20m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.00 metra. Eshtë ndaluar pajisja me leje e mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit duke filluar nga orët e para të ditës së sotme.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë, do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.Përmirësimi i motit pritet në orët e mbrëmjes së sotme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e sotme, vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me mot me alternime kthjellimesh e vranësira, të cilat pasohen nga reshje shiu me intensitet të ulët nga orët e mesditës fillimisht në zonën e veriut, për t’u shtrirë më pas në pjesën më të madhe të territorit.

Prej orëve të pasdites e deri në mbrëmje vonë, në zonën e veriut reshjet parashikohen të jenë me intensitet mesatar e hera-herës deri të lartë në formën e shtrëngatave afatshkurtra, shoqëruar me shkarkesa elektrike e lokalisht breshër. Era fryn me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut e me shpejtësi mesatare deri 6 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet, hera-herës fito shpejtësi deri 17 m/s, me valëzimin në dete të forcës 2-3 ballë.