Aktualitet

Nesër Fitër Bajrami, kreu i Komunitetit Mysliman: Respektoni vlerat njerëzore!

Ndërsa sot përmbyllet Muaji i shenjtë i Ramazanit, nesër kremtohet Fitër Bajrami. Kryetari i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Bujar Spahiu përcolli urimin e tij për më shumë harmoni, solidaritet, begati e mirëqenie. Të gjithë besimtarëve iu kërkoi që kjo ditë të shërbejë si moment vetëdijësimi për respektimin e dinjitetit dhe vlerave njerëzore.

I lutemi Zotit të madhëruar, Bamirësit, që Ramazani i nderuar, i cili në këtë botë është fund e krye një mirësi e madhe që në ditën e ringjalljes të ndërmjetësojë te Zoti për ne duke thënë “O Zot unë i kam penguar këta gjatë ditës, nga të ngrënët, të pirët dhe kënaqësi e tjera të ndryshme. Pranoje ndërmjetësimin tim në favor të tyre”.

Të nderuar motra e vëllezër, agjërimi ishte një shkollë një mujore për secilin prej nesh. Gjatë këtij muaji, njeriu mëson se modestia dhe jo mendjemadhësia është virtyt, mëson se falja është më me vlerë se hakmarrja, përkujdesi ndaj të varfërve dhe të pamundurve është cilësi më e lartë se indiferentizmi, mëson vetëdisiplinimin, kontrollin dhe vetedukimin.

Sot nuk mund t’i përmend të gjitha ato të mira që i mësuam nga muaji Ramazanit, por një çështje me rëndësi që duhet të përqëndrohemi. Drejtimin që e morëm në Ramazan, suksesin e sjelljeve dhe jetën e përparuar fetare që e arritëm duhet t’i vazhdojmë më tej.

Ruajeni atë që e fituat në Ramazan. Nesër ne festojmë me familjet, të afërmit dhe miqtë tanë, por nuk harrojmë të bëjmë pjesë të gëzimit të varfërit, të sëmurët, të moshuarit, të cilët përveç lutjeve drejtuar Zotit japin edhe mbështetjen tonë direkte sipas mundësisë.

Fitër Bajarami le të na shërbejë si një moment vetëdijësimi për dinjitetin dhe vlerat e përgjithshme njerëzore. Qoftë ky Bajram, një burim mirësie, dashurie dhe uniteti për ju dhe të dashurit tuaj, uroi kleriku i lartë mysliman, Bujar Spahiu.