Ndërsa në Tiranë po mbahet sot Samiti i 6 i Komunitetit Politik Europian, ku në kryeqytet kanë zbarkuar të gjithë liderët europianë, nga ana tjetër koalicioni opozitar që humbi thellë në zgjedhjet parlamentare, është mbledhur për protestë.
Kjo ishte një protestë e paralajmëruar, por që policia nuk ka dhënë leje.
Përfaqësues të PD, si Flamur Noka, Jorida Tabuku, Enno Bozdo e të tjerë janë mbledhur në afërsi të bulevardit Zogu i Parë. Deri tani protesta ka nisur me nota të qeta, nën “moton”: Poshtë diktatura, Duam votat tona, Edi Rama kriminel.
Flamur Noka u përplas me gazetarët, pasi këta të fundit e pyetën a do japë dorëheqjen Sali Berisha pas humbjes së thellë që pësoi në zgjedhje, ashtu siç ia dikton statuti. Por, Noka u irritua nga kjo pyete dhe u përplaset me gazetarët duke u thënë se Berisha do japë dorëheqjen vetëm kur në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira.
“Për të gjithë ju që merrni instruksione te Fuga, kam një përgjigje: Statuti është zbatuar dhe do të zbatohet nga Partia Demokratike me përpikmërinë më të madhe në momentin që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira, çdokush brenda nesh do të mbajë përgjegjësi”, tha Noka.
Edhe Noka vijoi me akuzat se zgjedhjet i vodhën, duke thënë se PD nuk do t’i njohë kurrë.“Një masakër zgjedhore si ajo e 11 majit nuk do njihet kurrë nga PD dhe opozita. OSBE-ODIHR vuri në dukje që në Shqipëri ka patur një masakër zgjedhore, përdorimi i administratës, i bandave kriminale ishin ata që ndikuan në tjetërsimin e votës së Shqiptarëve. A mund të pranohet kjo, kurrën e kurrës”, tha Flamur Noka.
PD dhe opozita është përfaqësuesja e vullnetit të shqiptarëve. Faktori ndërkombëtar e vuri gishtin mbi plagët, krimi, korrupsioni, patronazhimi, keqpërdorimi i administratës. A nuk u ble vota me 100 euro, vendimi për faljen e gjobave a nuk është blerje vote. Krimi i organizuar a ka ndikuar në tjetërsimin e rezultatit. A doni prova? Unë kisha informacione që në Vorë po votonin banditët në vend të qytetarëve”, vijoi Noka.
Kandidati i Partisë së Lirisë që ka siguruar mandatin e deputetit nga listat e mbyllura në Tiranë gjatë zgjedhjeve të 11 majit, Sekretari i Përgjithshëm Tedi Blushi, iu shmang përgjigjes për pyetjen e gazetarëve gjatë protestës së sotme të opozitës (16 maj), e thirrur nga PD-ja kundër rezultatit të zgjedhjeve.
Ai u shpreh se nuk kishte asnjë koment tjetër përveç respektimit të protestës për votën e lirë.
Blushi u pyet disa herë nëse do e linte mandatin për t’i dhënë mundësinë kryetarit të tij të burgosur prej 21 tetorit 2024 nga SPAK dhe GJKKO që të dalë nga qelia dhe të hyjë në parlament, pasi kjo është e vetmja mënyrë proceduriale sipas Kodit Zgjedhor.
“Nuk kam asnjë koment tjetër vecse të respektojmë këtë protestë për lirinë e votës. Nuk kam punuar kundër Ilir Metës, duhet t’ia bëni të gjithë atyre që kanë punuar ditë e natë kundër Ilir metës. Ju e dini se kush fshihet mbrapa, në kohën e duhur do i keni këto përgjigje. Nuk jemi mbledhur sot për këtë çështje, por për lirinë e votës”, tha Blushi.