Aktualitet

Njohja e patentave, Shqipëria i pranon, Greqia ende jo

Pala shqiptare e ka futur në fuqi marrëveshjen për njohjen e patentave me Greqinë ndërkohë autoritetet helene nuk kanë vepruar ende. Emigrantët shqiptarë mund të pajisen me patentë vetëm duke bërë një kërkesë pranë autoriteteve greke, shoqëruar me një raport mjekësor. Por mbajtësit e patentës duhet të kenë moshën e parashikuar në legjislacionin e shtetit grek. Ndërkaq specialisti i transportit rrugor MIE, Nikolin Bërxhiku tha se: “Sipas asaj që është rënë dakort do të njihen reciprokisht kartonat e lejeve të drejtimit që janë në fuqi në vendet përkatëse, formati shqiptar i 2005 dhe 2017 dhe formatet duke filluar nga ato të viteve ‘80 që janë në përdorim në Greqi. Këto formate që janë të vlefshme, sipas përkatësisë së shpjeguara, njihen automatikisht. Të dyja autoritetet, në rastin e palës shqiptare është Drejtoria e Shërbimeve e Transportit Rrugor pranojnë dokumentacionin, në këtë rast lejen e drejtimit greke, të shoqëruar me një raport mjekoligjor të vlefshëm siç kërkohet nga legjislacioni i të dy palëve, shqiptare apo greke”, thotë Bërxhiku. Marrëveshja me Greqinë parashikon vetëm njohjen e patentave, por jo të lejeve të qarkullimit, për të cilat duhet marrë formati ndërkombëtar.