Reperi i njohur amerikan Offset, me emrin e vërtetë Kiari Cephus, ka folur hapur për herë të parë mbi prapaskenat e ndarjes nga bashkëshortja e tij, Cardi B. Gjatë një interviste në programin “Baby, This Is Keke Palmer”, 33-vjeçari pranoi se gabimet dhe tradhtia e tij ishin ndër arsyet kryesore që çuan në përfundimin e martesës shtatëvjeçare të çiftit.
Absolutisht nuk isha perfekt në atë situatë. Bëra shumë gabime. Ka shumë gjëra që i bëra gabim, dhe ajo gjithashtu bëri gabime
– u shpreh reperi, duke shtuar se përjetimi i ndarjes nën sytë e publikut e ka bërë procesin shumë më të vështirë emocionalisht.
Offset pranoi hapur se kishte marrë “vendime të këqija si burrë”, përfshirë tradhtinë, e cila sipas tij ndikoi ndjeshëm në shkatërrimin e besimit mes tyre.
Ai rrëfeu se pas ndarjes në korrik të vitit 2024, e kuptoi se duhej të pranonte vendimin e Cardi B për t’i dhënë fund martesës.
Duhet ta kisha respektuar shumë më tepër. Mora vendime të këqija si burrë, si për shembull tradhtinë
– tha ai me sinqeritet.
Megjithatë, reperi theksoi se pavarësisht ndarjes, ai dhe Cardi B mbeten të bashkuar në një aspekt: përkushtimin ndaj fëmijëve të tyre.
Ne mund të mos jemi më bashkë si çift, por do të jemi gjithmonë bashkë si prindër
– përfundoi ai.
Marrëdhënia e Offset dhe Cardi B ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për shkak të luhatjeve dhe deklaratave publike të çiftit, por kjo është hera e parë që reperi pranon hapur përgjegjësinë për prishjen e martesës së tyre.