Forcat speciale RENEA, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë zhvilluar një operacion të gjerë kontrollesh në disa zona të qarkut të Lezhës, në kuadër të goditjes së personave të shpallur në kërkim.
Burime bëjnë me dije se aksioni ka nisur që prej mbrëmjes së kaluar dhe ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje.
Gjatë operacionit, efektivët kanë krehur një perimetër të gjerë, duke ushtruar kontrolle në banesa dhe biznese, pas informacioneve operative se në këto ambiente mund të strehoheshin persona të kërkuar nga drejtësia.
Në terren kanë qenë të angazhuara forca të shumta policore dhe efektivë të RENEA-s, ndërsa deri më tani nuk ka ende një njoftim zyrtar për persona të arrestuar apo të shoqëruar.