Aktualitet Politikë

“Pa ndalesë, pa kontroll pasaporte”, Rama: Rinasi, i pari në Europë me portën digjitale të hyrjes!

Pasi kryeministri Edi Rama njoftoi se nga fillimi i vitit të ardhshëm, për qytetarët do të jetë gati mjeti i Identifikimit Digjital, sot në podcastin “Flasim”, bëri të ditur se po përgatitet Porta Digjitale e Hyrjes në aeroportin e Rinasit.

Një tjetër inovacion i bukur që po përgatisim është hyrja në Shqipëri nga aeroporti “Nënë Tereza”, pa asnjë ndalesë dhe pa kontroll pasaporte, por përmes një porte digjitale, të cilës i mjafton pamja jote për të verifikuar identitetin tënd, duke e lidhur atë elektronikisht me biletën e me të dhënat e tua.

Kështu, aeroporti i Tiranës, tashmë i mirënjohur si një nga të parët aeroporte në Europë me kontroll digjital të pasaportave do të jetë i pari aeroport në Europë me portën digjitale të hyrjes. Kjo falë bekimit të teknologjisë digjitale, e cila u jep mundësi vendeve në zhvillim të bëjnë kapërcime epokale që përndryshe do të ishin të pamundura.

Duke folur lidhur me portofolin e Identitetit Digjital, që pritet të zbatohet në vendin tonë nga janari 2026 e që do të përfshijë të gjithë dokumentet personale si karta e identitetit, leja e drejtimit, diploma apo certifikata të ndryshme, Rama tha se “edhe Shqipëria është një vit para BE-së në këtë drejtim”.

Kur koncesioni i hershëm i kartave të identitetit përfundoi, ne morëm përsipër një sfidë të madhe: krijimin e një kompanie shtetërore për prodhimin e kartave të identitetit, më të mira e më të lira se të mëparshmet.

Kompania Identitek e përballoi me sukses këtë sfidë dhe tashmë është angazhuar për sfidën e re të identitetit digjital, pra kalimin e kartës së identitetit në celular apo kompjuter dhe funksionimin e saj si një portofol digjital shumëfunksional.

Edhe Bashkimi Europian po ecën në këtë drejtim e ka vendosur vitin 2027 si afatin për futjen e identitetit digjital në jetën e përditshme të Europës. Shqiptarët do ta kenë gati identitetin e tyre digjital në fillim të vitit 2026.