Politikë

Presidenti Meta dekreton Edi Ramën si Kryeministër për të tretën herë! Dokumenti.

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot më 11 shtator Edi Ramën si Kryeministrin e Shqipërisë.

Një ditë më parë, më 10 shtator 2021, u mbajtën dy seancat e para plenare të kësaj legjislature të re, ku u votua dhe me 79 vota pro, u zgjodh edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Në mbështetje të neneve 93 dhe 96, pika 1, të Kushtetutës, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, sot më datë 10.09.2021, në fillim të Legjislaturës së X-të, pas thirrjes dhe zhvillimit të mbledhjes së parë të Kuvendit të porsazgjedhur, sipas propozimit me nr. 216 prot., datë 2.9.2021, të Partisë Socialiste të Shqipërisë, parti kjo që rezulton se ka shumicën e vendeve në Kuvend, dekretoj Zoti Edi Rama, emërohet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Zyra e presidencës ka ndarë dokumentin që mban datën e djeshme që tregon dekretin i cili ka hyrë në fuqi menjëherë.

Me mandatimin nga Presidenti, Rama i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin qeverisës dhe emrat e ministrave parlamentit.

Pas miratimit në Parlament, kryeministri i dërgon Presidentit për dekretim ministrat, i cili duhet të shprehet brenda 7 ditëve.

Dekretet e miratuara nga Presidenti kalohen sërish nga kuvendi në një afat 10 ditë. Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat do të betohen para Presidentit.