Ideja e të ngrënit tre vakte në ditë është thelbësore për rutinën e shumicës së njerëzve, por a është kjo e vërteta më e mirë për shëndetin tonë? Pothuajse të gjithë e ndjekin këtë model, sepse është pjesë e organizimit të jetës sonë – mëngjesi shihet si vakti më i rëndësishëm, ndalimi për drekë është një pjesë e ditës së punës dhe darka shpesh ka një natyrë sociale apo familjare. Por, studiuesit po sugjerojnë që mund të jetë koha për të rishikuar këtë praktikë.
Një nga arsyet që po shqyrtohet ky ndryshim ka të bëjë me periudhat kur nuk duhet të hamë fare. Studiuesja Emily Manoogian nga “Salk Institute” shpjegon se, për të lejuar trupin të pushojë dhe të rigjenerohet, duhet të sigurojmë të paktën 12 orë në ditë pa ushqim.
Ajo ka theksuar në një studim të vitit 2019 që këto periudha pushimi janë të domosdoshme për mirëqenien tonë të përgjithshme.
Po ashtu, Rozalyn Anderson, profesoreshë në “University of Wisconsin”, ka studiuar përfitimet e kufizimit të kalorive, të cilat kanë lidhje me uljen e niveleve të inflamacionit në trup.
Ajo sugjeron se periudhat e agjërimit mund të sjellin përfitime shëndetësore të rëndësishme, pasi agjërimi i aktivizon proceset e riparimit të trupit dhe pastrimin e proteinave të dëmshme, të cilat janë të lidhura me sëmundje të ndryshme.
Në vend që të fokusohemi vetëm në numrin e vakteve, ekspertët sugjerojnë të krijojmë një rutinë ku trupit t’i jepet mundësia të pushojë dhe të rigjenerohet.
Një periudhë agjërimi prej 12 orësh, që mund të fillojë pas darkës dhe të përfundojë në mëngjes, është një hap i thjeshtë që mund të ndihmojë për përmirësimin e shëndetit.
Pra, përgjigja në pyetjen “A duhet të hamë tre vakte në ditë?” është më e ndërlikuar se sa duket. E rëndësishme është të dëgjojmë trupin tonë dhe të krijojmë një balancë që mbështet shëndetin tonë në afat të gjatë.