Gossip Showbiz

Shefi i kuzhinës ka abuzuar me stafin?!/Restoranti luksoz humbet sponsorat!

Dy sponsorë të mëdhenj janë tërhequr nga një restoranti luksoz në Los Angeles, pasi The New York Times publikoi një raport ku thuhet se shefi i njohur i kuzhinës René Redzepi ka abuzuar me punonjësit e tij për vite me radhë. Në restorantin e famshëm Noma, një vend kushtonte rreth 1500 dollarë për person në natë. Por pas publikimit të akuzave, dy sponsorë kryesorë, American Express dhe start-upi i mikpritjes Blackbird, njoftuan se do të tërhiqen nga eventi.

Të dy kompanitë kishin blerë blloqe biletash për klientët e tyre. American Express kishte rezervuar gjashtë net për mbajtësit e kartave Platinum në SHBA, ndërsa Blackbird kishte blerë bileta me vlerë rreth 100 mijë dollarë për gjithë periudhën e eventit. Kompanitë deklaruan se do të rimbursojnë klientët dhe do të dhurojnë të gjitha të ardhurat e mbetura për organizata që mbrojnë punonjësit e restoranteve.

“Praktikat e së kaluarës së René-s, kanë qenë të papranueshme dhe të neveritshme,” tha themeluesi i Blackbird, Ben Leventhal, duke iu referuar një kërkim-faljeje që vetë Redzepi publikoi pas artikullit të New York Times. Edhe American Express tha se po tërhiqet nga sponsorizimi dhe se fondet e mbledhura do të përdoren për të ndihmuar punonjësit e industrisë së restoranteve në Los Angeles. Ndërkohë, edhe Cadillac, një tjetër sponsor që kishte vendosur makina me logon e Noma pranë vendit ku mbahej eventi për të transportuar të ftuarit, u hoq në heshtje nga faqja zyrtare e Noma në Los Angeles.

Restoranti Noma konsiderohet një nga ata më me ndikim në botë gjatë dekadës së fundit. Ai ka qenë pesë herë në vendin e parë në listën “World’s 50 Best Restaurants” dhe ka fituar tre yje Michelin. Shefi René Redzepi është vlerësuar si një nga figurat më të rëndësishme të gastronomisë moderne. Megjithatë, sipas raportimit të New York Times, reputacioni i restorantit është shoqëruar edhe me akuza serioze për abuzime në vendin e punës.

Rreth 35 ish-punonjës kanë deklaruar se mes viteve 2009 dhe 2017 Redzepi i ka goditur, shtyrë apo sharë për gabime të vogla në kuzhinë dhe në raste zemërimi ka goditur disa prej tyre. Disa prej tyre thanë gjithashtu se ai i kishte kërcënuar me listë të zezë në industri, deportim apo turpërim publik. Një organizatë për të drejtat e punonjësve të restoranteve, One Fair Wage, ka paralajmëruar një protestë para vendit ku po zhvillohet eventi në Los Angeles, duke kërkuar kompensim për punonjësit dhe ndryshime në politikat e punës së Noma.