Aktualitet

Shkodër, turisti vret bashkëshorten pranë Pedonales!

Raportohet për një vrasje në një hotel në Shkodër pranë Pedonales. Paraprakisht, dyshohet për një krim në familje. Një person, për të cilin thuhet se është turist amerikan, 60 vjeç e jo shtetas shqiptar, goditi me thikë bashkëshorten e më pas tentoi t’i jepte fund jetës me të njëjtën armë të ftohtë. Ai është në gjendje kritike, në spital. Ende nuk ka shumë informacione lidhur me ngjarjen e rëndë.

Mbi dy muaj më parë, Shkodra u trondit nga një ngjarje e ngjashme kur më 18 shkurt, pas 5 vitesh bashkëjetesë, Kolë Manaj, 34 vjeç zgjodhi t’i jepte fund tragjikisht historisë së dashurisë me Anila Prendushi (Ndokën) 44 vjeçe. Manaj e qëlloi për vdekje e më pas i dha fund jetës me të njëjtën armë zjarri.

Burime pranë grupit hetimor në policinë e Shkodrës bënë me dije se kishin marrë ne pyetje familjarë të Anilës dhe bashkëpunëtorë të saj pasi punonte si psikologe pranë një OJF-je në Qendrën Komunitare nr.5, aty ku edhe ndodhi krimi makabër.

U mësua se 34 vjeçari kishte shkuar në këmbë pranë zonës ku ndodhi vrasja dhe Anila zgjodhi që bisedën me bashkëjetuesin ta zhvillonte në makinë. Ata kishin disa ditë në grindje se siç u raportua, Anila synonte t’i jepte fund kësaj marrëdhënieje, çka nuk pranohej nga partneri.

Në kushte të rënduara psikologjike ky i fundit debatoi e në gjaknxehtësi nxori armën tip pistoletë që mbante me vete duke qëlluar në kokë 44 vjeçaren.

Tragjedia ndodhi paraditen e 18 shkurtit, në lagjen Mark Lula në Shkodër, në zonën e njohur si ish-Fusha e druve. Çifti u gjet brenda makinës Volkswagen Touran, në pronësi të gruas që fillimisht u plagos e më pas ndërroi jetë duke mos iu mbijetuar plagëve të rënda.  Në brendësi të makinës, policia gjeti pistoletën me të cilën 34-vjecari, Kol Manaj qëlloi partnerene më pas veten. Policia tha se 34-vjeçari humbi jetën në vend ndërsa 44-vjeçarja kaloi në gjendje të rëndë në spitalin e Shkodrës, me plagë në kokë para se të ndërronte jetë.