Nuk janë vetëm burim dashurie dhe shoqërie – kafshët shtëpiake luajnë një rol të rëndësishëm edhe në përmirësimin e shëndetit tonë fizik dhe mendor.
Studime të shumta shkencore kanë konfirmuar se prania e një qeni apo maceje në shtëpi ndikon drejtpërdrejt në sistemin imunitar dhe mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme.
Ja disa nga përfitimet që sjell një kafshë shtëpiake në organizmin tuaj:
Rritja e ekspozimit ndaj mikrobeve të dobishëm
Kafshët bartin mikrobe të ndryshëm që, kur hyjnë në kontakt me trupin tonë, “stërvitin” sistemin imunitar.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët, të cilët përfitojnë një imunitet më të fortë kur rriten pranë kafshëve shtëpiake.
Ulje e rrezikut për alergji dhe astmë
Hulumtimet tregojnë se fëmijët që jetojnë në shtëpi me qen ose mace janë më pak të rrezikuar të zhvillojnë alergji apo astmë, në krahasim me ata që rriten në ambiente tepër sterile.
Reduktim i stresit dhe i inflamacioneve
Përkëdhelja e një kafshe ndihmon në uljen e nivelit të kortizolit – hormoni i stresit – dhe stimulon prodhimin e oksitocinës, hormonit të dashurisë.
Ky kombinim përmirëson gjendjen emocionale dhe ndihmon në uljen e inflamacioneve kronike, të cilat lidhen me shumë probleme shëndetësore.
Inkurajimi i aktivitetit fizik
Kafshët, veçanërisht qentë, nxisin lëvizjen e përditshme përmes shëtitjeve dhe lojërave jashtë.
Aktiviteti fizik i rregullt ndihmon në përmirësimin e qëndrueshmërisë së organizmit dhe përforcon sistemin imunitar.
Ekspertët theksojnë se përveç dashurisë dhe përkushtimit që ofrojnë, kafshët shtëpiake mund të jenë një aleat i fuqishëm për shëndetin tonë të përgjithshëm.
Rritja pranë tyre, sidomos në moshë të hershme, ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e një organizmi më të fortë dhe më rezistent.