Aktualitet

Siguria në rrugë, Policia Rrugore paralajmëron drejtuesit e automjeteve

Policia rrugore paralajmëron drejtuesit e mjeteve që kryejnë parakalime të gabuara duke bllokuar trafikun në zonat turistike se do të përballen me penalitete të ashpra. Policia Rrugore kërkon vëmendjen e drejtuesve të mjeteve kamionë të cilëve u kërkon të respektojnë kërkesat dhe kufizimet e vendosura në memorandumin mes ministrive për sezonin veror. Ndërkaq Drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola është shprehur se: “Policia Rrugore vazhdon të kërkojë mirëkuptimin dhe mbështetjen e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve, për ngadalësimin e trafikut në fundjavë, veçanërisht në momentet e mbingarkesës së tij në akset dhe segmentet rrugore në zonat turistike të vendit. Ndërkohë që për ata drejtues mjeti, të cilët në shkelje të normave të sjelljes kanë kryer “parakalimin” e kolonave të mjeteve në korsinë në sens të kundërt, shërbimi i Policisë Rrugore ka marrë masat të cilës përveç masës administrative me gjobë, parashikon dhe pezullim të lejedrejtimit për një periudhë kohe 2-4 muaj. Vetëm për tre ditët e fundjavës shërbimi i Policisë Rrugore ka ndëshkuar për këtë shkelje rreth 73 drejtues mjeti”, – përfundoi Tola.