Dinamo dhe Tirana sot luajnë derbin e fundit sezonal mes tyre. Në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00, dy skuadrat kryeqytetase i pret një ndeshje vërtet delikate për objektivat e tyre: blutë për Europën dhe bardheblutë për mbijetesën.
Gjatë këtij sezoni Dinamo e Ilir Dajës nuk ka humbur asnjëherë ndaj Tiranës. Në 5 përballje të deritanishme, blutë kanë regjistruar 4 fitore dhe 1 barazim. Jo vetëm kaq, por në portën e Tiranës, Dinamo ka shënuar më shumë gola se në asnjë portë tjetër.
Në tri përballjet e kampionatit, Dinamo i ka shënuar 9 gola Tiranës (1-2, 6-2 dhe 1-1). Në dy çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, blutë fituan dy herë me rezultatin 2-0, 4 gola të shënuar dhe asnjë i pësuar. Në total në 5 sfida bëhen 13 gola të realizuar nga skuadra e Dajës dhe 4 nga ajo që aktualisht drejtohet nga Orges Shehi.
Ndeshja e sotme ka një rëndësi të veçantë dhe parashikohet të jetë mjaft e luftuar. Trajneri Ilir Daja pritet të ketë mungesa, siç janë Bernard Berisha dhe Saliu Guindo, ndërsa Klevi Qefalija është në luftë me kohën. Rikthehet nga skualifikimi Dejvi Bregu, që mungoi në Ballsh për shkak kartonësh.
Në anën tjetër, Tirana vjen me grup të plotë dhe pas fitores me Egnatian, do të përpiqet të befasojë edhe Dinamon. Ndeshja është e vlefshme për javën e 32-të të Abissnet Superiore.