Politikë

Spiropali, vizitë zyrtare në Sofje. Bullgaria mbështet përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian

Me ftesë të Kryetares së Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, në datat 9-10 korrik po zhvillon një vizitë zyrtare në Bullgari, ku do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit: Presidentin Radev, Kryeministrin Jeliazkov dhe Kryetaren e Parlamentit Kiselova.

Në ditën e parë të vizitës znj. Spiropali u prit nga Kryeministri Rossen Jeliazkov.

LEXO EDHE: Me 461 vota pro, Parlamenti Europian voton raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut!
Kryetarja Spiropali nënvizoi se “Me Bullgarinë kemi marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera në të gjitha nivelet, të cilat mbështeten në miqësinë tradicionale dhe në lidhjet historike, kulturore e njerëzore midis dy popujve tanë.

Bullgaria është një mbështetëse e vendosur e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, ashtu siç ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ku të dy vendet sot jemi partnerë të rëndësishëm e kontribues aktivë.

Organizimi në Tiranë më 16 maj i Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian përbën një moment kyç në angazhimin në rritje të Shqipërisë për sigurinë dhe paqen në Europë.

Bullgaria është një partner ekonomik tradicional i Shqipërisë dhe mes vendeve tona ka mundësi të shumta bashkëpunimi në sektorët si infrastruktura, turizmi, energjia etj., të cilat ndihmojnë zhvillimin, ndërlidhjen, bashkëpunimin dhe integrimin e rajonit. Ndërtimi i Korridorit VIII është një investim strategjik i përbashkët, thelbësor edhe për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Bullgarisë si edhe atë rajonal.

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe të dy vendet po kontribuojnë për nxitjen e bashkëpunimit mes  vendeve të rajonit.

Kryeministri Jeliazkov vlerësoi marrëdhëniet, partneritetin dhe miqësinë mes dy vendeve dhe rikonfirmoi mbështetjen e vendosur të Bullgarisë  për anëtarësimin e Shqipërisë në  Bashkimin Europian dhe bashkëpunimin për paqen e sigurinë në rajon e më gjerë.