Bota

Sulmeve masive ruse në Ukrainë, 1 fëmijë mes viktimave!

Të paktën tre persona u vranë dhe shumë rajone ukrainase po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike, si pasojë e sulmeve të Rusisë që raportohet të kenë qenë ndër më intensivet prej nisjes së luftës. Edhe Polonia fqinje aktivizoi avionë për të mbrojtur hapësirën ajrore në kohën e sulmeve. Lajmin e bëri të ditur ushtria polake përmes një postimi në X.

Rusia është duke sulmuar sërish infrastrukturën tonë të energjisë. Si rezultat i kësaj ka ndërprerje të energjisë elektrike në disa rajone ukrainase, njoftoi Kievi zyrtar përmes një postimi në Telegram.

Zjarret shpërthyen në disa rajone nga “sulmet masive me raketa dhe dronë”. Situata bëhet edhe më alarmante teksa temperaturat e ajrit ulen çdo ditë e më shumë.

Në mesin e të vrarëve është një fëmijë 4-vjeç. Disa të mitur të tjerë mbetën të plagosur. Rusia i ka intensifikuar sulmet edhe në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa ditët e fundit. Sipas autoriteteve ukrainase, këto janë përpjekje për të shkatërruar plotësisht logjistikën detare.

Sulmet e fundit erdhën pas negociatave të zhvilluara në fundjavë nga Shtetet e Bashkuara me delegacionet ruse dhe ukrainase në Miami, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022.

I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff u shpreh se bisedimet ishin “konstruktive” por që nuk ka shenja të ndonjë përparimi. Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.