Me mesazhin: “Kujtesa nuk është e së shkuarës, është detyrim i së tashmes”, sot u mbajt simpoziumi “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944-1991, Shkodra përballë të kaluarës”. Aktiviteti në prag të 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, u organizua në Shkodër nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).
E pranishme, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u shpreh:
[Ky komunitet i qëndresës] e vuajti si asnjë qytet tjetër në Shqipëri hakmarrjen e regjimit ndaj kundërshtarëve të tij. Një qytet që u bë simbol i përndjekjes, por edhe i rezistencës, i vuajtjes, por edhe i identitetit të papërkulur qytetar e kulturor. Në këtë qytet të mrekullueshëm me det e male përreth, me lumenj e liqen si askund tjetër e me një kështjellë për krye, janë luajtur me qindra drama njerëzore: klerikë të arrestuar e të pushkatuar me varr të humbur, intelektualë dhe punëtorë, të rinj e të reja të vrarë në kufi. Janë viktimat që kërkojnë e meritojnë respekt, kujtesë e drejtësi.
Midis viteve 1944-1991, mijëra shqiptarë u zhdukën pa gjurmë, u burgosën, u pushkatuan dhe përjetuan një izolim të pashembullt.
Nuk është kurrë vonë për të bërë drejtësi një domosdoshmëri për ndërgjegjen tonë të përbashkët. Në fakt, akt drejtësie është edhe respekti ynë i thellë, pengu i të gjithë shoqërisë për çfarë ka ndodhur dhe bindja se makthe të tilla ndërkombëtare nuk do të përsëriten kurrë. Edhe ndaj harresës duhet qëndresë. Po kaq e fortë kjo përpjekje sa epike, po aq duhet të jetë edhe kulturore, pjesë e çdo antologjie historike, shkollore e sociale.
Mungesa e të dhënave të plota, fshehja e varreve, mohimi i së drejtës për të ditur e shtuan dritën dhe e shtrinë atë përtej jetëve të humbura, në një plagë që sot është e hapur në ndërgjegjen kombëtare. Ka nëna që nuk e mësuan kurrë fatin e birit. Ka fëmijë që nuk patën kurrë figurën e atit. Ka vëllezër e motra që jetuan në mungesën si pjesë të përditshmërisë së tyre. Kjo nuk është vetëm një çështje private e disa familjeve. Eshtë një plagë kolektive që kërkon përgjigje publike.
Simpoziumi synoi t’u japë zë viktimave, të dokumentojë faktet dhe të edukojë mbi të shkuarën. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato:
Eshtë shumë emocionuese për mua t’i drejtohem një dhome plot me njerëz që e kanë përjetuar në mishin e tyre apo përmes të afërmve, brutalitetin e regjimit komunist. Të shtunën do të kujtojmë jo thjesht jetët e shumta që humbën dhe faktin që ka familje të cilat ende presin të vërtetën dhe drejtësinë që meritojnë, por do të kujtohemi edhe për përgjegjësitë tona kolektive për ta mbajtur gjallë këtë memorie, këtë njollë të zezë në historinë e Shqipërisë.