Në prag të ndeshjes ndaj Shqipërisë për Play Off të Botërorit, trajneri i Polonisë, Jan Urban, doli në konferencë këtë të mërkurë.
“Pres një ndeshje të hapur, edhe pse Shqipëria është një ekip i fokusuar në mbrojtje. Ata gjithashtu e dinë se duhet të ketë një rezultat. Në ndeshjet e fundit kundër tyre, na kanë shkaktuar më shumë probleme. Ata janë një ekip me një formacion shumë të qëndrueshëm, i njëjti trajner për disa vite dhe janë të organizuar mirë. Ata mund të bëjnë një surprizë, por shpresoj që jo nesër”- tha trajneri.
Për ndeshjen foli edhe mbrojtësi Jakub Moder. “Nuk do të jetë e lehtë kundër Shqipërisë, e dimë këtë. Ata po luajnë mirë dhe po mbrohen mirë. Çelësi do të jetë shkatërrimi i mbrojtjes së tyre. Pas analizës dhe stërvitjes, e dimë që kemi një plan, një metodë dhe gjithçka do të funksionojë në fund”, deklaroi Moder.
Shqipëria është gati të shkruajë historinë, ku kërkon kualifikimin për herë të parë në Botëror. Në Play off, kuqezinjtë gjejnë Poloninë me 26 mars në Varshavë. Trajneri i kuqezinjve, Sylvinho, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, në konferencë për shtyp para ndeshjes gjysmëfinale.
LEXO EDHE: Sylvinho: Polonia të vret në kundërsulm! Të shohim si mund të shfrytëzojmë Mehmetin e Muçin!
Në lidhje me deklaratat e trajnerit polak, i cili tha se Shqipëria nuk mund të bëjë surprizën, Sylvinho u përgjigj:
“Nuk e di pse e ka thënë këtë. Më është dukur njeri i këndshëm dhe po bën mirë me Poloninë. Ka një ekip shumë të mirë. Por edhe ne jemi skuadër e mirë. Në 2024 kemi një eksperiencë të mirë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Duhet të jemi të përgatitur për më mirë.”