Celebrities

Top Albania Radio, ja çfarë ju urojnë zërat që ju shoqërojnë gjatë gjithë ditës!

2020-ta po vjen në fund, më në fund. Kur 2019-ës po i vinte fundi ishim të lumtur, sepse hoqëm një siklet të madh, ankthi i vazhdueshëm i tërmetit do të fshihej si me magji nga ndërrimi i viteve, dhe kjo vetëm për ne që ishim prekur përciptazi. Qindra familjet e prekura janë ende sot në një shtëpi që nuk është e tyrja. Por, ishin ditët e fundit të 2019-ës që në redaksinë e lajmeve flitej për një virus misterioz nga Kina. Sa prej nesh e dinim që ai virus do të kthehej në kryefjalën e çdo minute të kaluar në 2020-ën. Do të kthehej në përgjegjësinë që na mori të dashurit, biznesin, vendin e punës, na mori puthjet e përqafimet, deri tek shtrëngimet e duarve.

Kështu, 2020-ta po vjen në fund dhe jemi të lumtur për këtë, si një vit që vetëm na mori, na dha shumë pak në shkëmbim, ama sado i mbrapshtë na dha dhuratën më të çmueshme, na mësoi të duam dhe të vlerësojmë atë që kemi, pa u qarë për vogëlsira, pa qenë gjithmonë të pangopur ose cinikë. Na mësoi t’u rrimë afër atyre që kanë vërtetë vlerë dhe jo të kujtohemi vetëm kur kanë nevojë. Na mësoi të vlerësojmë të shijuarit e jetës, ashtu e thjeshtë pa shumë artifica. Na uli pritshmëritë.

…Deri diku. Pas një viti dedikuar familjes time të vogël, ishte koha t’i rikthehesha një copëz familjeje që e merrja për të mirëqenë, që për shkak të pompozitetit dhe shpejtësisë së dritave televizive, ishte lënë në harresë. Në shtëpinë time jam mësuar që nëse një gjë prishet, e ndreqim, nuk e hedhim. Kur të gjithë mendonin se Radio ka vdekur, përmbajtja nuk ja vlen, njerëzit duan vulgaritet – doja të bëja atë që dua më shumë, frymëzuar nga ata që më rritën profesionalisht, t’i provoja atyre që e thoshin këtë që e kishin gabim. Dhe me ndihmën e miqve të vjetër e të vyer në Top Albania Radio – ja dolëm. Shkëlqimi i Radios po kthehet, pritshmëritë tona të larta u përmbushën, ndaj 2021-shin e presim me qejf – sepse energjia e Radios, nuk është bërtitëse, është ai zëri vogël i subkoshiencës, i cili të thotë çdo ditë – The Best is yet to Come! Ledion Liço.

Ky do të jetë vit i ngjarjeve dhe surprizave të bukura e të këndshme sepse së pari Top Albania Radio do të ketë një shtëpi të re dhe së dyti sepse Top Albania Radio tani është në duart e një gjenerate të re. 2021-shi qoftë një vit i gëzuar dhe me suksesin e dëshiruar! Denis Dyrnjaja.

Nga Top Albania Radio, kurrë më si 2020-ta, gëzuar të gjithëve! Eno Popi.

Për 2021-shin dua t’i uroj të gjithë dëgjuesve të Top Albania Radios bekime dhe dashuri të pafundme, gëzuar! Albana Ruçi.

Miq të Top Albania Radios gëzuar Vitin e Ri. Janë 365 ditë që duhen parë si një mundësi e re për ne, të bëjmë gjërat e duhura. Imagjinoni një libër me fletë të bardha që pret të mbushet me histori të bukura, kjo është jeta jonë, kështu duhet të jetë, e mrekullueshme. Antiola Bame.

E ç’kuptim do të kishin festat pa njerëzit tanë të dashur, shndërrojini momentet me ta në kujtime të paharrueshme, janë ato që na mbeten në fund. Arta Sinamati.

Jetojeni çdo ditë të vitit 2021 sikur të ishte e fundit dhe shpërndani sa më shumë dashuri në këto kohë që aq shumë na nevojitet. Edison Hallaçi.

Për të gjithë dëgjuesit e Top Albania Radios, kudo që janë, gëzuar Krishtlindjen edhe uroj që Zoti t’ju bekojë me shëndet këtë vit të ri. Isli Islami.

Për mua 2020-ta ka qenë shumë vit i rëndësishëm sepse jam bërë pjesë e Top Albania Radios. Dua me shpirt t’ju uroj të gjithëve gëzuar festat e fundvitit. Uroj që 2021-shi t’ju plotësojë çdo dëshirë e çdo qëllim që ju keni në jetë. Elios Shuli.

Miq të Top Albania Radios, ju gëzoftë zemra në këtë vit të ri, ju uroj shëndet dhe të ndjeni ngrohtësinë e dashurisë së njerëzve tuaj. Sot më shumë se kurrë ne kuptuam se kemi nevojë vetëm të kemi pranë njëri-tjetrin. Kjo është pasuria më e madhe. Eriselda Doko.

2020-a ishte vit i vështirë, por jo një vit i humbur.Këtë vit që po ikën kemi përjetuar shumë, dhe kemi mësuar akoma më shumë. Në 2021-shin uroj që të bëhemi të gjithë më njerëzorë. Dhe të gjejmë kohën për të mësuar gjermanisht ose kurajën për të mësuar kinezisht. Koloreto Cukali.

Këtë Vit të Ri është koha të rreshtim së dëshiruari, është koha t’i realizojmë dëshirat. Gëzuar Vitin e Ri 2021! Genta Hodo.

Kemi menduar se viti 2020 do të ishte viti që do të arrinim gjithçka që kemi dashur, tani e kemi kuptuar se viti 2020 na bëri të vlerësojmë gjithçka kemi. Në jetë të gjithë kemi dëshira dhe ëndrra, shpresoj që të gjitha dëshirat tuaja të realizohen në një udhëtim plot supriza në rrugën e jetës. Klodiana Vata.

2020-ta na vuri përballë vështirësive të mëdha megjithatë, mësuam të duam njëri-tjetrin. Dashuria është përgjigja e të gjithave. Nga unë Kozeta Kurti paçi vetëm dashuri për 2021-shin.

Nga Jonida Aliçkolli dhe Kejvin Kalo të “Pardon my French” ju urojmë sa më shumë dashuri dhe lekë, sa më shumë lumturi dhe lekë, sa më shumë begati në familjet tuaja dhe sa më shumë lekë! Por mbi të gjitha një vit të ri pa COVID-19.

Viti 2021 le të jetë i yti, ju mund të zgjidhni çdo drejtim që dëshironi, mund të ëndërroni dhe t’i realizoni. Përqafojeni me dashuri vitin që po vjen. Ksenja Shoshaj ju uron gëzuar nga Top Albania Radio.

Uroj që ky fundvit të jetë fundi i historive dhe përjetimeve të vështira të të gjithëve dhe Janari një fillim i mbarë. Dashuri për Shkurtin, paqe për Marsin, asnjë shqetësim për Prillin, qejf për Majin, gëzim nga Qershori deri në Nëntor dhe lumturi për Dhjetorin. Paçi një 2021 të mrekullueshme. Rudina Meneri.

Të gjithë dëgjuesit e Top Albania Radios ju uroj që të keni një vit ndryshe nga të gjitha vitet e tjera. Më të bukur, më të shëndetshëm dhe më të hareshëm. Salsano Rrapi.

Gëzuar Vitin e Ri 2021. Me dëshirën, se pas kësaj ëndrre të keqe reale që kaluam këtë vit, uroj me gjithë zemër vitin që po vjen, të na fali më shumë dashuri dhe më shumë siguri. Le të shpresojmë që ky vit, të jetë dhe viti i heqjes së “maskave”. Gëzuar shqiptarët e mi! Adi Pojana.

Ju uroj të gjithë dëgjuesit e Top Albania Radio që të kenë një vit plot shëndet, fat dhe sa më shumë të qeshura në fytyrë dhe në shpirt. U riktheftë jeta normale pa pandemi, pa luftëra dhe pa lakmi mes njerëzve. Gëzofshi çdo ditë! Foni Ilia.

Me Top Albania Radion ju pret një 2021 edhe më i bukur. Gëzuar festat! Doriana Lato.

Mos kujtoni se u’a dërgova, kartolinën e harrova. Në të hiçgjë s’kisha shkruar, vetëm një ‘gëzuar’. Pasi t’a merrni me lëng këtë vit se mish nuk pati fare, uroj që viti që po vjen të jetë kshu, si më ashu, mos keni një kshu mu aty po të jeni më kshu! Besoj isha e qartë. Gëzuar, paçi shëndet e ju gëzoftë zemra! Zoti ju bekoftë! Anisa Kushta.

Shpresoj që 2021-shi të jetë një vit i lumtur, plot buzëqeshje, energji e momente të bukura për të gjithë ju. Sidorela Gjoni.

Paçi fat! I’m very bad at these, I’m sorry! Nilsa Hysi

U përpoqa të merrja në telefon Elsa Lilën për të më dhënë një ide për urimin që mund të bëj për ju dhe mbas shumë thirrjesh, zbulova që nuk i kam numrin. Ndaj po ju them vetëm gëzuar 2021-shin, pa frikëra, pa maska dhe kur të hiqet distancimi social do ju vizitoj përditë nga 45 minuta në shtëpitë tuaja. Gëzuar! Alex Seitaj.