Aktualitet

Tragjedi në Tetovë. Digjet spitali COVID, dyshohet për dhjetëra viktima/ Video nga momenti kur spitali shpërthen në flakë!

Një ngjarje e rëndë është regjistruar të mërkurën në mbremje rreth orës 21:00 në Tetovë, ku spitali ku trajtohen të sëmurët me COVID është përfshirë nga flakët.

Nga zjarri i madh, raportohet të jenë shkaktuar me dhjetëra viktima si nga pacientët edhe nga stafi mjekësor.

Mediat duke iu referuar burimeve jozyrtare, flasin për të paktën 15 viktima, ndërkohë që zyrtarisht nuk ka konfirmime. Mësohet se forcat e shërbimit zjarrfikës, kanë mundur ta shuajnë zjarrin.

Sikurse shihet edhe nga pamjet e publikuara flakët kanë shpërthyer në repartet ku ndodheshin të shtruar pacientët me covid-19.

“Për fat të keq gjithçka ka marrë flakë shumë shpejt… për momentin nuk mund të raportojmë për diçka tjetër. Shpreh keqardhje të thellë për këtë që ndodhi. Në spital kishte njerëz të sëmurë”, ka deklaruar kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“Fatkeqësi e tmerrshme ka ndodhur në Tetovë ku ka viktima në zjarrin që shpërtheu në qendrën për COVID-19. Për momentin po përcaktohet numri i saktë i njerëzve që humbën jetën, të plagosurit dhe gjendja e tyre”, ka shkruar në Twitter ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në Tetovë ndodhet edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe shumë anëtarë tjerë të Qeverisë, të cilët po marrin pjesë në një mbledhje të shtabit të krizës në Tetovë.