Celebrities Gossip Showbiz

Barcelona i heq statusin “legjendë” futbollistit Dani Alves!

Një gjykatë në Spanjë e ka shpallur fajtor ish-futbollistin e Barcelonës dhe të Brazilit, Dani Alves, për përdhunimin e një gruaje në një klub nate në Barcelonë. Ai është dënuar me katër vjet e gjysmë burg. Mbrojtësi 40-vjeçar, i cili është ndër futbollistët me më së shumti trofe të fituar në histori, nuk e pranonte se e kishte sulmuar gruan në fjalë mëngjesin e hershëm të 31 dhjetorit 2022. Avokati kërkoi lirimin e tij dhe Alves mund të ankohet ndaj këtij dënimi.

Ish-futbollisti brazilian, duket se pas këtij vendimi ka humbur respektin e shumë njerëzve teksa klubi i Barcelona e ka larguar nga lista e futbollistëve që mbajnë statusin e legjendës. Alves krijoi një histori shumë të bukur te “Katalanasit” duke qenë një nga futbollistët kryesorë të epokës së Barça-s, ku zhvilloi plot 408 ndeshje me spanjollët, teksa kontribuoi në fitimin e shumë trofeve ku veçohen tre titujt në Champions League. Në vendlindjen e tij Bahia, prej kohësh tashmë kërkohet nga banorët e zonës që të hiqet statuja e Dani Alves nga Juazeiro.

Ndërkaq, përveç dënimit me katër vjet e gjysmë burgim, gjykata e urdhëroi Alvesin edhe t’ia paguajë 150.000 euro viktimës. Prokurorët thanë se Alvesi dhe miku i tij kishin sjellë shampanjë për tre të reja, para se ta joshnin njërën prej tyre në një zonë VIP të klubit të natës, ku kishte edhe tualet për të cilin ajo nuk ishte në dijeni. Ata argumentuan se aty Alves u bë i dhunshëm, duke e detyruar gruan të kryejë marrëdhënie seksuale me të, pavarësisht kërkesave të saj të vazhdueshme për t’u larguar. Alves e kishte përsëritur se ajo ka mundur të largohej “po të donte”. Megjithatë, gjykata gjeti se ajo nuk u pajtua për marrëdhënie seksuale me të.