Një gjykatë në Stamboll dënoi me dy vjet e gjysmë burg një burrë që vrau me dashje një mace endacake dhe iu ndalua të largohej nga vendi. Ky është dënimi më i ashpër i dhënë ndonjëherë në Turqi sipas ligjit për mbrojtjen e kafshëve. Stambolli është i famshëm për numrin e madh të maceve endacake, të cilat askush nuk i prek dhe njerëzit kujdesen për to dhe i ushqejnë. Videoja e publikuar në gjykatë tregon se si i dënuari ndoqi qëllimisht macen, e quajtur Eros dhe e goditi për vdekje në një ashensor.
Ngjarja shkaktoi indinjatë dhe zemërim të madh në Turqi. Qindra aktivistë të të drejtave të kafshëve u mblodhën në gjykatë. Hashtagu “Drejtësia për Erosin” ka qenë në trend ditët e fundit në rrjetet sociale. Ministri turk i Drejtësisë Yilmaz Tunc njoftoi në X, se ishte dënimi më i lartë i vendosur deri më tani sipas ligjit të Turqisë për mbrojtjen e kafshëve.
Ndërkaq, ju sjellim në vëmendje një rast të pazakontë. Gjykata e shkallës së parë në qytetin spanjoll të Vigos miratoi së fundmi vendimin e parë sipas të cilit bashkëshorti duhet të paguajë ushqimin për një kafshë shtëpiake pas divorcit, në përputhje me ligjin e ri. Sipas aktgjykimit, qeni ka mbetur në kujdestarinë e gruas, ndërsa ish-bashkëshorti i saj do të paguajë 40 euro në muaj, si dhe gjysmën e shumës për shpenzime emergjente dhe veterinare.