Aktualitet Celebrities

Dua Lipa në Tiranë!

Ylli i muzikës botërore, Dua Lipa, ka mbërritur në Shqipëri. E shoqëruar nga prindërit, Dukagjin e Anesa Lipa, si dhe i fejuari, Anwar Hadid, këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare u prit sot në Bashkinë e Tiranës nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

 

Veliaj i dhuroi targën simbolike “Dua 100”, kapelen e gruas tironse, si dhe diskun muzikor me këngë popullore të Shqipërisë së Mesme, “Tirana 100”, realizuar në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet.

Dua Lipa i dhuroi Veliajt albumin e saj më të fundit, që po thyen rekordet botërore, “Future Nostalgia”, i cili për 6 muaj ka qëndruar në top 10-en e këngëve më të mira.

Me Veliajn, Dua Lipa inspekton sot punimet për rindërtimin e Kopshtit 42 në kryeqytet që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit. Këngëtarja ka financuar për mobilimin e plotë të tij.

Kryeministri Rama e priti në zyrë këngëtaren shqiptare me famë botërore. Rama i dhuroi Dua Lipës një libër me piktura ndërsa në një postim në rrjetet sociale shkruan:

DUA LIPA që ka kapur qiellin e botës muzikore s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa një koment për Duan që pata kënaqësinë të njoh, unë dua ta ndaj me ju. Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike!