Aktualitet Bota

Mbi 1.900 viktima nga tërmeti në Turqi e Siri/Nuk ndalen kërkimet mes gërmadhave!

Rëndohet bilanci i viktimave të tërmetit të magnitudës 7.8 Rihter që mëngjesin e sotëm goditi zonën mes Turqisë e Sirisë. Për momentin, raportohet për mbi 1 mijë e 900 vetë që ndërruan jetë, pjesa më e madhe në Turqi. Me mijëra janë të plagosurit. Tërmeti e kishte epiqendrën 23 km në lindje të Nurdagit në Gaziantep të Turqisë, në thellësinë 24.1 km. Në zonë vijon aktiviteti sizmik, madje edhe me pasgoditje të fuqishme të magnitudave 7.5 dhe 6 sipas shkallës Rihter. Ndërsa vijojnë me intensitet operacionet e kërkim-shpëtimit, nuk përjashtohet mundësia që bilanci i viktimave të arrijë shifrën e frikshme 10 mijë.

Presidenti rus, Vladimir Putin pati një bisedë telefonike me homologun sirian Bashar al-Assad dhe mësohet se ky i fundit pranoi ofertën ruse për ndihmë, që të përballohen pasojat e katastrofës në Siri. Kremlini zyrtar njofton se orët e ardhme drejt Sirisë do të nisen skuadrat me ekipe kërkim-shpëtimi.

Papa Françeku reagoi i trishtuar për humbjet e jetëve të njerëzve dhe tha se lutet për Sirinë e Turqinë. Ati i Shenjtë vuri në dukje se shpirtërisht i qëndron pranë të gjithë njerëzve të goditur. Gjithashtu, iu shprehu ngushëllime familjeve që humbën të dashurit.

Shqipëria dhe Kosova janë mes vendeve që ofruan ndihmë në përballimin e pasojave. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se “anëtarët e aleancës po mobilizojnë mbështetjen për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit shkatërrues”.

Eurokomisioneri për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic u shpreh se “Qendra e BE-së për Përgjigje dhe Koordinimin për Emergjenca është në kontakt me autoritetet turke për të aktivizuar shërbimin që ndihmon ekipet e shpëtimit në terren ta kryejnë punën në mënyrë më efikase”.

Rusia bëri të ditur se dy avionë IL-76 dhe 100 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë të gatshëm të shkojnë në Turqi nëse është e nevojshme. Presidenti rus, Vladimir Putin u dërgoi mesazhe liderëve në Turqi e Siri.

Edhe, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u shpreh i gatshëm të dërgojë ndihmë.

Në këtë moment ne jemi afër me popullin mik të Turqisë dhe të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme.

Greqia deklaroi se po mobilizon burimet e ndihmës që të dërgohen me shpejtësi në Turqi.