Aktualitet Politikë

Përplasjet për Portin e Durrësit, tensione në Kuvend/Berisha zuri foltoren, akuza Taulant Ballës!

Tensione në Kuvend, u ndërpre disa minuta seanca plenare për të rinisur kur kryetari demokrat Berisha liroi foltoren ndërsa kërkoi më shumë kohë për të folur lidhur me projektin e Portit të Durrësit, që për Berishën “është plaçkitja më e madhe”.

Nga një grup i kryesuar nga Edi Rama, plaçkitja më e madhe. Kërkohet të shndërrohet në pronë dhe pasuri personale Porti i Durrësit. Në këtë akt të kësaj megaafere të pashembullt, kërkohet të kufizohet fjala e deputetëve të Parlamentit. Kërkoni të varrosni Portin e Durrësit, ta shndërroni në pronë private të klanit Rama dhe të ndonjë arabi okazional. Arabi që u zotua për 4 miliard euro investim në Beograd dhe përfundoi në 20 milion euro ndërsa të tjerat i mori Karriç. Eshtë plaçkitja më e turpshme, klani Rama me 60% të aksioneve, kaq thuhet. Se çfarë kanë Alabar-Rama, nuk do ta marrim vesh ndonjëherë. U merr shqiptarëve 200 mijë metër katror tokë, në pjesën më të kushtueshme të Durrësit.

Maxhoranca vendosi 6 orë debat për Portin e Durrësit, duke hedhur poshtë kërkesën e opozitës për kohë të pakufizuar. Berisha kishte një mesazh edhe për kryeparlamentaren Nikolla:

Dhe ti që ndan grupet parlamentare në kategori të parë dhe të dytë, më lejo të të them që është turpi më i madh që është bërë ndonjëherë. Ti je e vetmja në botë që ndan Parlamentin në këtë mënyrë, kjo do marrë fund!

Me Berishën replikoi kreu i grupit socialist, Taulant Balla:

Të ankohesh se s’të jepet kohë në Kuvend kur flet 7 minuta përtej kohës është sa qesharake, aq dhe tallje për sallën e Kuvendit, për një turp që ky parlament duhet të ndalet në një seancë për t’i dhënë fund kësaj tragjedie që një ‘non grata’ të vijë e të bëjë pis sa herë i jepet mundësia. Vendimmarrja për kohën i përket Konferencës së Kryetarëve. Nuk dëgjova asnjë kërkesë nga përfaqësuesi i botës së përtejme. Do të sqarohen të gjitha, edhe pjesa që nuk do resht së përshëndeturi qeverinë. Të vijojmë me rendin e ditës për përmbytjet dhe më pas me atë që mezi presim të gjithë, për projektin e Portit të Durrësit, që të çmontojmë të gjitha shpifjet.

Kreu demokrat doli live në Facebook, kur kryetarja e Kuvendit nuk i dha fjalën për t’iu përgjigjur Taulant Ballës, të cilin e akuzon si porositës të vrasjeve në Elbasan.

Dua t’i them opinionit se ai që sulmoi është sipas dëshmive një porositës i vrasjeve në Elbasan. Ai është një porositës vrasjesh. Ai nuk ka vend në parlament. Shko përgjigju dëshmive për vrasje. Shpirti i avokati Ravik Gurra kërkon drejtësi dhe ti je i akuzuar se ke porositur vrasjen e tij.

Më pas, u mblodh Konferenca e Kryetarëve dhe u vendos debat pa limit për Portin Durrës.