Aktualitet

Seanca maratonë e Kuvendit, miratohet marrëveshja e Portit Durrës/Opozita: Porti u fal!

Me 74 vota pro të socialistëve e 35 kundër, Kuvendi miratoi marrëveshjen për Portin e Durrësit. Votimi pasoi mbi 14 orë debate e akuza të opozitës që e cilëson “aferën më të madhe korruptive” dhe tha se “porti u fal”. Por, kryeministri Rama foli për projekt historik.

Portin e vjetër të Durrësit, ky investim do ta kthejë nga një platformë të zezë, si surrati i të gjithë atyre që e përndjekin Shqipërinë qysh prej 1912-ës, në një prej porteve më të mëdha turistike të Mesdheut, në mos më i madhi.

Rama deklaroi se nëse nuk zbatohet sipas kontratës, investimi i parashikuar të bëhet nga kompania Emaar nga Dubai do t’i kalojë i gjithi shtetit, pa asnjë tarifë shtesë.

Në një seancë ku nuk munguan edhe tensionet që çuan në ndërprerje kur Berisha i cili kërkoi më shumë kohë për të folur, bllokoi foltoren e transmetoi live në “Facebook”, opozita nuk i kurseu akuzat. Kryetari demokrat, tha se “shkelet Kushtetuta”, referuar projektit.

Ne do të vazhdojmë qëndresën në Parlament, ju mos ikni nga salla se këto këtë duan, të vendosin censurën. Për ju nuk ekziston rregullore, por ligji i plaçkitjes vetëm. (…)Hidheni poshtë këtë marrëveshje! Marrëveshja shkel me të dy këmbët Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, shkel Kushtetutën e Shqipërisë. Marrëveshja është një mashtrim fund e krye ligjor. Marrëveshja nuk respekton asnjë rregull asnjë ligj, të përjashtohet nga çdo gjë dhe Edi Ramës i është dhënë garanci që asnjë qeveri mos ta padisë më pas. Edi Rama, i bindur të jesh se te Porti i Marinës do përfundosh vetë, s’ka burg që të mban ty me këtë që po bën!

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj paralajmëroi se “ky projekt do të kthehet në aferën më të madhe të pastrimit të parave të krimit”.

Na vjen një investitor mbi qilim fluturues e na vjen me vetëm 80 milion euro. Si mund të gëzohesh kur në këtë vend vjen paraja e krimit, që do të sjellë refuzimin e këtij vendi nga BE?! Ky është rreziku i madh, e hedh Shqipërinë në honet më të errëta të botës së perëndimit.