Celebrities Music Showbiz

Teksa na ndajnë edhe pak ditë nga “Sunny Hill Festival”, Dua Lipa vjen me dedikimin emocionues për Kosovën!

Shumë pak ditë na ndajnë nga “Sunny Hill Festival” dhe këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa ka folur për të në vlogun e saj ‘Service95”. Me titullin “Letër dashurie për vendin tim”, Dua Lipa ka zbuluar se ky festival lindi nga dëshira e saj që në moshë të vogël për të parë në skenë artistët e saj të preferuar.

Jam shumë e lumtur që festivali “Sunny Hill” do të rikthehet përsëri këtë vit në Prishtinë, Kosovë. Kur jetoja në Kosovë, nga mosha 11 deri në 15 vjeçe, ëndërroja që një ditë të shikoja muzikantët e mi të preferuar të interpretonin ‘live’ në qytetin tim dhe kështu nga dëshira ime dhe e babit tim, lindi pikërisht festivali ynë. Jam jashtëzakonisht krenare për ekipin që na ndihmon me organizimin e festivalit tonë, veçanërisht pasi eventi i vjen në ndihmë edhe fondacionit tonë “Sunny Hill”, i cili mbështet organizata të ndryshme kosovare, veçanërisht ato në fushën e artit dhe të kulturës. Sigurisht, është gjithmonë gëzim i madh të rikthehem në Prishtinë gjatë verës dhe në festivalin që do të zgjasë katër ditë këtë vit do të mund të shihni kaq shumë artistë të jashtëzakonshëm. Nëse do të vini në “Sunny Hill”, këtu janë disa nga vendet ku duhet të provoni ushqimet e tyre dhe të argëtoheni në qytet. Shihemi atje!

Kujtojmë se “Sunny Hill Festival” në Kosovë do të mbahet më 4 deri më 7 gusht, ndërsa në Tiranë do të mbahet nga data 26 deri më 28 gusht. Së fundmi rikujtojmë se “Balenciaga Haute Couture” në Paris realizoi një sfilatë të mbushur me yje duke mbledhur disa prej personazheve më të njohur në botë. Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa ishte përkrah yjeve si Kim Kardashian, Bella Hadid, Naomi Campbell dhe Nicole Kidman teksa parakaluan në shfaqjen e modës për koleksionin e ri të markës së veshjeve.