A Live Night Celebrities Music Showbiz

Xhensila Myrtezaj, artistja e kësaj jave në “A Live Night”!

“A Live Night” është prodhimi më i ri në Top Channel që padyshim është një risi e ekraneve tona. Deri më tani keni pasur mundësinë të shihni në intervista shumë më ndryshe nga sa jeni mësuar disa nga artistët e “A Live Night” dhe t’i dëgjoni duke performuar live teksa na falin një emocion shumë të vecantë.

“A Live Night” po na mban çdo të shtunë mbrëma të gozhduar para ekranit. Kemi zbuluar një anë tjetër që nuk e njihnim më parë të artistëve më në zë dhe kemi ndjekur disa nga hitet e tyre më të mira ndër vite. Ndërkohë po ju njohim me artisten e kësaj jave. Është pikërisht këngëtarja e njohur Xhensila Myrtezaj artistja të cilën do të kemi kënaqësinë për ta ndjekur këtë të shtunë.

Xhensila do të rrëfejë çdo të pathënë lidhur me karrierën e saj, hapat e parë në muzikë, sakrificat, vështirësitë e deri tek jeta e saj personale. Një intervistë si asnjëherë më parë, këngëtarja hap zemrën dhe flet pa ‘doreza’ për publikun, duke treguar një anë tjetër të sajën.

Xhensila Myrtezaj është një këngëtare shumë e pëlqyer nga publiku dhe këngët e saj numërojnë miliona klikime vetëm pak ditë pas publikimit. Pas një pauze prej pak muajsh Xhensila vendosi që të kthehet me dy projekte të reja muzikore, një solo të titulluar “Ale Ale” dhe një në bashkëpunim me producentin Elgit Doda.

E duket se nuk ka të ndalur pasi shumë shpejt do të lançojë dhe këngën e saj më të re në duet me Klajdi Harunin. Ky bashkëpunim në fakt është paralajmëruar prej kohësh dhe madje bukuroshja e ka cilësuar këtë projekt si “një nga këngët që e kam dashur më së shumti”. E duket se nuk do të na duhet të presim dhe shumë, teksa xhirimet janë bërë në jug të Shqipërisë. Për këngën është kujdesur kantautori Flori Mumajesi.