Aktualitet

SPAK-u arreston Erion Veliajn/GJKKO-ja i caktoi “Arrest me burg”!

Gjykata e Posaçme dha masë sigurie për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili rreth orës 14:00 u shoqërua nga zyra prej oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH. Me kërkesë të SPAK-ut, mësohet se Gjykata e Posaçme ka vendosur arrest me burg për Veliajn dhe arrest shtëpie për bashkëshorten Ajola Xoxa, por nuk është zbatuar masa e sigurisë pasi ndodhet jashtë vendit për kurim.

Veliaj dyshohet për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale. GJKKO-ja ka lëshuar dhe të tjera masa sigurie, përfshirë detyrim për paraqitje për biznesmenët Gentian Sula, Sokol Kryeziu, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi e Meriman Palushi. Ndaj Erion Veliajt dhe familjarëve të tij patën filluar hetime mbi procedimin penal të nisur për “Korrupsion pasiv”.

Pak muaj më parë, Veliaj u thirr në SPAK dhe duke folur para Këshillit Bashkiak të Tiranës, u shpreh se u denoncua nga një qytetar i quajtur Nesti Angoni, për të cilin deklaroi se nuk ekziston. Sipas tij ky është një “kurth i sajuar” e vuri në dukje se ka qenë bashkëpunues. Hetimin, mbrojtja e Veliajt e pati cilësuar “keqdashës, të qëllimshëm e në kundërshtim me ligjin”.

Ndërkaq, u dërgua në bllokun e sigurisë te rruga “Mine Peza”.