Aktualitet

Atentati në Sarandë, detaje për shpërthimin që i mori jetën Isuf Jaçajt!

Detaje të reja lidhur me atentatin ndaj Isuf Jaçajt në Sarandë, mbrëmjen e 4 tetorit. Nga hetimet e deritanishme, hetuesit dyshojnë se autorët e kanë vendosur tritolin në mjetin tip “Toyota” të 58-vjeçarit dy ditë para ngjarjes.

Lënda eksplozive rreth 500 gramë është instaluar nga autorët poshtë automjetit, në vendin e shoferit. Sa i përket dinamikës së ngjarjes, para atentatit Isuf Jaçaj ka qenë në një lokal duke konsumuar kafe në lagjen nr.3, aty ku ka edhe banesën e të birit, rreth orës 22 e 45 minuta. Pasi doli nga lokali hyri në makinë, ndezi mjetin e pasi lëvizi rreth 20 metra, u krye shpërthimi i telekomanduar.

Grupi hetimor sekuestroi kamerat e sigurisë në zonë dhe nisi këqyrjen tyre, me qëllim identifikimin e autorëve të dyshuar. Policia pikasi një mjet të dyshimtë që ishte në zonë gjatë kohës kur ndodhi ngjarja, por po bëhen verifikime. Hetuesit dyshojnë se prej ditësh, autorët e kanë mbajtur nën vëzhgim viktimën duke i gjurmuar lëvizjet. 58-vjeçari nuk ruhej dhe as nuk lëvizte me automjet të blinduar.

Policia ka dyshime se autorët kanë qenë rreth 200 metra nga vendngjarja nga ku kanë kryer shpërthimin në mënyrë të telekomanduar e më pas u larguan.  Vrasja e 58-vjeçarit dyshohet për motive hakmarrjeje. Klaus Jaçaj, 31 vjeç, është përfshirë në një ngjarje kriminale më 17 korrik në Sarandë e ndodhet në burg.

Eshtë fjala për konfliktin me armë zjarri lidhur me administrimin e një plazhi. Ka informacione se viktima merrej me turizëm duke bërë transport pushuesish me skaf, si edhe drejtonte guida turistike.

Çfarë ndodhi më 17 korrik?

Në qytetin e Sarandës, dy të rinj u plagosën me armë zjarri nga Ramadan Zoto alias Canaj, 43 vjeç, pas një konflikti për një tokë në bregdet. Zoto qëlloi me armë ndaj Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamës. Ishte Klaus Jaçaj, i cili e ndihmoi Zoton të largohej nga vendi i ngjarjes, bashkë me të vëllanë Erjon Canaj, 36 vjeç. Klaus Jaçaj u arrestua vetëm një javë pas përplasjes, ndërsa Ramadon Zoto ra në pranga më 22 gusht në qytetin e Korçës.