Aktualitet

Dëbora “pranverore” zbardh edhe Pogradecin, probleme me qarkullimin e mjeteve në rrugën e Arbrit

Reshje dëbore me intensitet deri në mesatar janë regjistruar edhe në qytetin e Pogradecit, një fenomen i pazakontë për këtë periudhë të vitit.

Duket se të ashtuquajturat “plakat e prillit” kanë sjellë një rikthim të shkurtër të dimrit edhe në rajonin juglindor të vendit. Aktualisht, nuk janë raportuar problematika në qarkullimin rrugor, por ky rikthim i papritur i dimrit mund të ketë ndikim në bujqësi.  Kuptohet bora ka zbardhur edhe Korçën.

Pasditja e kësaj të diele ka sjellë reshje të dendura bore në zonat e larta të Lezhës, duke zbardhur kreshten dhe krijuar pamje të rralla për stinën e pranverës.

Bora ka prekur kryesisht segmentin rrugor Kallmet-Ungrej, ku raportohen vështirësi në qarkullim dhe ju kërkohet drejtuesve të mjeteve që të lëvizin me kujdes.

Reshjet e borës në qarkun Dibër kanë zbritur deri në 600 metra mbi nivelin e detit, ku kanë nisur të shfaqen edhe problematika.

LEXO EDHE: Dëborë në pranverë, zbardhet Kukësi!

Aksi rrugor në të cilin kërkohet që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes është ai i rrugës së Arbrit.

Më problematike situata paraqitet në Bulqizë dhe Maqellarë ku ka prani të dëborës në asfalt.

Në orët e pasdites intensiteti i reshjeve është shtuar. Autoritetet apelojnë drejtuesit e mjeteve që të reduktojnë shpejtësinë e lëvizjes për të shmangur aksidentet e mundshme.

Situata mund të përkeqësohet gjatë orëve të mbrëmjes ku temperaturat do të zbresin disa gradë nën zero.

I gjithë territori i Qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu e borë, të cilat vazhdojnë të jenë të pranishme. Edhe zonat e ulëta dhe tre qytetet e verilindjes, Kukësi, Bajram Curri dhe Kruma janë zbardhur nga dëbora.

Paraditen e kësaj të diele reshje bore pati edhe në zonat e larta malore. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Nga subjektet kontraktore vazhdon puna për pastrimin nga bora dhe kriposjen e atyre segmenteve ku ka qenë e nevojshme me qëllim mbajtjen funksionale të tyre.

Reshje të dendura bore aktualisht ka edhe në të gjithë Rrugën e Kombit, kompania mirëmbajtëse bën të ditur se deri më tani nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve. Në Rrugën e Kombit nga Fan-Tunel-Kukës-Morinë janë 18 borëpastuese që po bëjnë pastrimin e rrugës dhe hedhjen e kripës.