Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, është liruar nga paraburgimi në Prishtinë, rreth një javë pas arrestimit të tij.
Artisti ishte ndaluar më herët nën dyshimet për disa vepra penale, përfshirë “Kanosje”, “Asgjësim apo dëmtim të pasurisë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Fillimisht, ai u mbajt për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji, me kërkesë të Prokurorisë.
Megjithatë, burime bëjnë me dije se masa e sigurisë ndaj tij është ndryshuar, duke u liruar për t’u mbrojtur në procedurë të rregullt.
Sipas raportimeve, gjykata ka vendosur ndërprerjen e paraburgimit, ndërsa ankesa nuk e shtyn ekzekutimin e këtij vendimi.
Avokatët e tij kanë argumentuar se, bazuar në nenin 159 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, paraburgimi nuk ka qenë një masë proporcionale në këtë rast.
Pavarësisht lirimit, çështja ndaj Gjestit pritet të vijojë në organet e drejtësisë.