Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në zonën bregdetare të Gjipesë, ku një turist gjerman është goditur nga helika e një gomoneje. Policia e Vlorës tha se drejtuesi, Krenar Velaj 27 vjeç, ka qenë duke lundruar me gomone jashtë perimetrit të sigurisë, ndërsa dispononte edhe dokumentacion të rregullt.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:49, ndërsa turisti gjerman ka qenë duke u zhytyr në afërsi të gomones, kur është goditur nga helikat. Për pasojë, ka pësuar prerje në gjymtyrët e poshtme dhe në shtyllën kurriozore. Mësohet se turisti 47-vjeçar, me banim në Gjermani ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Fillimisht ka qenë drejtuesi i gomones që e ka nxjerrë turistin në breg, duke lundruar me gomone përgjatë vijës bregdetare, nga vendi ku ndodhi aksidenti deri në Himarë.
Më pas ka qenë Policia Kufitare në Dhërmi që ndërhyrë menjëherë, duke i dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar në qendrën shëndetësore të Himarës. Tashmë turisti i plagosur është dërguar në spitalin e Traumës me helikopter për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Ndërkohë, drejtuesi i gomones është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje, bashkë me disa dëshmitarë të ngjarjes.
Gjipeja është një plazh shumë i frekuentuar nga turistët e huaj, ndërsa mësohet se në zonën ku ka ndodhur ngjarja nuk lejohet që asnje skaf ose gomone t’i afrohet bregut. Gomonia në fjalë ka qenë duke lundruar jashtë perimetrit të sigurisë.
“Sot, rreth orës 13:40, në plazhin e Gjipesë, dyshohet se shtetasi Krenar Velaj, 27 vjeç, banues në Orikum, duke drejtuar një mjet lundrues gomone me dokumentacion të rregullt, jashtë zonës së sigurisë dhe në një distancë të konsiderueshme nga tapat që kufizojnë zonën e notimit, ka dëmtuar, gjatë kohës që ishte duke bërë zhytje në afërsi të mjetit lundrues, shtetasin D. S., 46 vjeç, banues në Gjermani.
Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Dhërmi, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë ndërhyrë duke i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe më pas kanë organizuar transportimin e tij të menjëhershëm drejt spitalit, për ndihmë mjekësore.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit lundrues, shtetasit K. V., në Stacionin e Policisë Dhërmi, si dhe të personave të tjerë që kanë qenë dëshmitarë në këtë ngjarje”, informoi policia.
Vijon puna e grupit hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.