Marrëveshja për njohjen reciproke të viteve të punës dhe përfitimin e pensioneve mes Shqipërisë e Italisë do të hyjë në fuqi më 1 qershor, pra pas dy javësh. Teksa publikoi një foto me homologen Meloni, kryeministri Rama bëri të ditur se i ka dhuruar dokumentin final të procesit të gjatë ligjor që formalizon këtë marrëveshje. Rama e cilësoi “lajm të mirë” dhe theksoi se vendosi ta ndajë veçmas nga vorbulla e samitit për t’i dhënë rëndësinë që meriton.
Lajm i mirë dhe i ndarë veç për t’i dhënë vëmendjen e duhur, jashtë vorbullës së Samitit të Komunitetit Politik Europian: Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë, shkruan Rama.
Kjo marrëveshje do t’u mundësojë qindra mijëra shqiptarëve që kanë kontribuar me vite pune në Itali të përfitojnë pension të plotë, bazuar në kontributet e derdhura në të dy vendet. Njohja e kontributeve do të jetë e ndërsjellë, çka do të thotë se edhe qytetarët italianë që kanë punuar në Shqipëri do të kenë të drejtën e pensionit.