Aktualitet

Nuk ka ende tym të bardhë kompromisi mes palëve në Këshillin Politikë për Reformën Zgjedhore

Nuk ka ende tym të bardhë kompromisi mes palëve në Këshillin Politikë për Reformën Zgjedhore. Futja e teknologjisë në zgjedhje është ajo që sipas demokratëve po mban peng dakordësinë. Në momentin e fundit të tryezës pati një propozim nga socialistët që PD dhe LSI të paraqesin një hartë se ku dhe si do që të aplikohet identifikimi elektronik. Sa i përket numërimit dhe votimit elektronik, për maxhorancën nuk ka kohë. Ajo iu referua edhe një rekomandimi të OSBE-ODIHR-it që sugjeron aplikim në 10% të bashkive të vendit. Opozita jashtëparlamentare në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore pati edhe një propozim surprizë për ankimimet. U kërkua që kompetencat e Kolegjit Zgjedhor t’i marrë Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë është ende peng i sherreve procesi i depolitizimit të administratës zgjedhore. Por në orët e mbrëmjes pritet që të zhvillohet një tjetër mbledhje. Ndërkaq duket i vështirë arritja e qëndrimeve konsensuale brenda 3 ditëve që kanë mbetur nga afati e 31 majit. Ndërkohë opozita parlamentare këmbëngul për ndryshim të sistemit zgjedhor.