Dy të rinj kanë mbetur të plagosur me armë zjarri gjatë mesnatës, përkatësisht në orën 00:05. Ngjarja ka ndodhur tek mbikalimi i ‘Qafë-Kasharit’, por ende nuk dihen rrethanat e saj.
Burime zyrtare bëjnë me dije se dy të rinjtë janë identifikuar si Enis Sanxhaku, 20 vjeç dhe Noa Mato, 19 vjeç. Të dy janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, teksa nuk dihet ende gjendja e tyre shëndetësore.
Dy të rinjtë kanë qenë në një kalçeto dhe sapo ka mbaruar ndeshja, janë nisur për t’u kthyer në shtëpi.
Të pyetur nga hetuesit në spital, ata kanë thënë se kanë bërë një manovër të gabuar me makinë dhe i kanë prerë rrugën një makine tjetër, që po lëvizte në këtë aks. Sipas dy të rinjve, pas kësaj manovre janë përfshirë në konflikt me drejtuesin e mjetit, që i kanë prerë rrugën, dhe miqtë e këtyre të fundit, që lëviznin me një tjetër mjet.
Nga dëshmia e parë e dhënë nga spitali, të rinjtë Enis Sanxhaku dhe Noa Mato janë shprehur se konflikti ka precipituar deri në përdorimin e armëve. Pas plagosjes, dy të rinjtë 20 dhe 19 vjeç kanë mbërritur në Spitalin e Traumës me makinën e tyre, ku po marrin ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur te “Mbikalimi i Qafë-Kasharit”, pas mesnatës, ndërsa policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e Tiranës dhe vijon kontrollin në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.