Aktualitet

Puna e SPAK/ 45.5 mln euro pasuri e sekuestruar dhe konfiskuar gjatë 2025-ës!

Raporti vjetor i vitit 2025 i Strukturës e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar evidenton se korrupsioni në nivele të larta dhe krimi i organizuar mbeten sfidat kryesore për Shqipërinë. Sipas raportit, grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë të përfshira në rrjete ndërkombëtare, veçanërisht në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe aktivitete të tjera të paligjshme që shtrihen përtej kufijve të vendit.

Në raport thuhet se “gjatë vitit 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara është rreth 45.4 milionë euro, prej të cilave rreth 43.49 milionë euro, është vlera e aseteve të sekuestruara (rreth 96% e totalit) dhe rreth 1.91 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të konfiskuara (rreth 4% e totalit). Në vlerën e aseteve të sekuestruara përfshihet dhe sekuestrimi i kriptovalutave të llojit TETHER, USDT, me vlere ekuivalente prej 14.5 milionë dollarë ose rreth 12.4 milionë euro (vendimi nr.583, date 04.09.2025).

Vlera e pasurive të sekuestruara për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar është rreth 42.4 milionë euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara për këtë kategori veprash penale është rreth 1.8 milionë euro. Sa i përket çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë, vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 1.1 milion euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara është rreth 100,000 euro.”

Dokumenti thekson se trafiku i narkotikëve, sidomos i kokainës dhe kanabisit drejt vendeve të Bashkimit Europian, mbetet aktiviteti më fitimprurës për grupet kriminale. Një pjesë e konflikteve të dhunshme dhe vrasjeve në vend lidhen pikërisht me përplasjet mes këtyre grupeve për kontrollin e tregut të drogës. Po ashtu, raporti nënvizon se Shqipëria vazhdon të konsiderohet një burim i rëndësishëm i armëve ilegale që qarkullojnë në rajon dhe në Europë.

Një tjetër shqetësim i evidentuar nga SPAK është pastrimi i parave, i cili sipas raportit kryhet kryesisht përmes investimeve në sektorin e ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe bizneseve të ndryshme. Kjo praktikë, sipas institucionit, deformon konkurrencën në ekonomi dhe ndikon negativisht në treg, raporton Report Tv.

Raporti ndalet gjithashtu te korrupsioni në administratën publike dhe në pushtetin vendor, duke theksuar se një pjesë e hetimeve kanë përfshirë zyrtarë të lartë, drejtues institucionesh dhe përfaqësues të qeverisjes vendore, kryesisht për çështje që lidhen me tenderat publikë, përdorimin e fondeve dhe dhënien e lejeve të ndërtimit.

SPAK vlerëson se sfidat mbeten të mëdha, sidomos në luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit në nivele të larta, duke nënvizuar nevojën për forcimin e kapaciteteve hetimore dhe bashkëpunimit institucional.