Politikë

Spiropali takim me kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë: Mirëpresim investimet bullgare në Shqipëri, thellojmë bashkëpunimin ekonomik

Në vijim të vizitës zyrtare në Sofje, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u prit sot nga Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova. Spiropali është e para kryeparlamentare e ftuar në Parlamentin e Bullgarisë, pas zgjedhjes së Kryetares Kiselova.

Spiropali, theksoi se Bullgaria po jep mbështetje të vazhdueshme për Shqipërinë si në marrëdhëniet dypalëshe në aleancën tonë në NATO dhe në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“Intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar mes Kuvendit dhe Asamblesë Kombëtare do të nxisë marrëdhëniet dypalëshe si edhe dialogun politik mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, të cilat janë aktualisht të shkëlqyera, të qëndrueshme dhe pa asnjë çështje të pazgjidhur mes dy vendeve. Bashkëpunimi i ngushtë parlamentar do të vijojë nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë, grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe deputetëve. Ky ndërveprim do të rritet edhe në kuadrin e sfidave të lidershipit të Kuvendit në procesin e integrimit europian, për të cilin kemi edhe mbështetjen politike e teknike të Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë. Ne, shqiptarët, jemi krenarë që kemi nje vend mik e partner si Bullgaria, e cila është ndër mbështetësit më të fuqishëm të objektivit tonë kombëtar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian brenda vitit  2030. Sa i takon shkëmbimeve, duhet patjetër që ne të thellojmë patjetër shkëmbimet tona tregtare, ekonomike, investimet në infrastrukturë, siç është Korridori VIII, apo në turizëm, që janë fusha prioritare për të dyja vendet. Kjo marrëdhënie e shkëlqyer, miqësore, mes vendeve tona, por edhe politike, duhet të përkthehet e në më shumë mirëqenie për qytetarët tanë. Duke nisur nga investimet bullgare, të cilat janë të mirëpritura por edhe shkëmbimet e tjera. Shkëmbimet tregtare, në fushën e turizmit, ne kemi një marrëveshje të nënshkruar nga tetori i 2024 në fushën e turizmit, marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e pensioneve apo sociale dhe ajo ka hyrë në fuqi. Urojmë që këto marrëveshje, që kanë impakt të drejtpërdrejtë ekonomik në jetën e qytetarëve tanë, të mund të shkojnë më tej”, u shpreh kryeparlamentarja”,  u shpreh Spiropali.

Spiropali përgëzoi Kryetaren Kiselova për arritjen e shënuar të hyrjes së Bullgarisë në Eurozonë, në janar 2026.  Kryetarja Kiselova vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, përgëzoi Spiropali për miratimin nga Parlamenti Europian në 9 korrik të Rezolutës për Shqipërinë, e cila u votua nga të gjithë eurodeputetët bullgarë, dhe e vlerësoi vendin tonë si një kampion në plotësimin e kritereve të anëtarësimit.

Objektivi i Shqipërisë për anëtarësim brenda vitit 2030 ka mbështetjen e vendosur të Bullgarisë dhe plani i juaj është edhe i yni. Asambleja Kombëtare e Bullgarisë, përveç mbështetjes politike, do t’i japë edhe ndihmë teknike Kuvendit në procesin e integrimit europian.

Kiselova nënvizoi se bashkëpunimi dypalësh do të zgjerohet dhe Shqipëria dhe Bullgaria, Kuvendi dhe Asambleja Kombëtare do të rrisin kontributin edhe në disa  prioritete të bashkëpunimit  rajonal, si mbrojtja e paqes dhe siguria në rajon e më gjerë, konektiviteti, infrastruktura, turizmi, politikat rinore etj.