Celebrities Dilema Sociale Gossip Showbiz

Ekskluzive/ Anxhela Peristeri zbulon detajet e performancës në Eurovision

Programi “Dilema Sociale” nga Eno Popi, këtë fundjavë pati në fokus të diskutimit “Dilemën e Eurovisionit”.

Të ftuar në studio dhe nëpërmjet linjës telefonike në Top Albania Radio ishin grupi kontribues i këngës fituese për Eurovision nga Anxhela Peristeri, Kledi Bahiti, Martin Leka dhe Olti Curri.

Anxhela Peristeri ditë më parë solli videoklipin e këngës përfaqësuese në “Eurovision 2021”. “Karma” tashmë është lansuar në kanalin zyrtar të ‘Eurovision Song Contest’, gjersa reagimet e para ishin mjaft pozitive.

Ndërkaq ka konfirmuar për ‘Wiwibloggs’ se po punon me regjisoren dhe koreografen e njohur të skenës suedeze, Sacha Jean-Baptiste, gjithashtu këtë e përmendi edhe gjatë intervistës me Eno Popin. Madje sipas Anxhelës ky bashkëpunim ishte një dëshirë e saj ekstra.

E pyetur për më shumë detaje rreth kartolinës përfaqësuese dhe performancës së saj skenike, Anxhela zbulon detaje që kanë ndryshuar, për shkak të kufizimeve të pandemisë:

Kartolina e Shqipërisë këtë vit për shkak të COVID-it ka disa ndryshime, nuk do të xhirohet në Rotterdam ose në Shqipëri, siç ka ndodhur zakonisht, ata kanë kërkuar disa gjera të tjera, do jetë diçka komplet e ndryshme, nuk besoj se do të ketë pamje të Shqipërisë nga ajo që lexova unë nga ato që na kishin dërguar, kishin menduar disa gjera të tjera, do jetë një koncept tjetër, meqë ishim në vit pandemie dhe nuk kishim mundësi për xhirime.

Sa i përket përgatitjes së saj skenike, Anxhela pohon se gjithçka është drejt përfundimit:

Koncepti i performancës është që unë do të jem vetëm në skenë dhe është menduar që do të luhet ndoshta më shumë me kamerat, me ndriçimin e me lëvizje të tjera koreografike që më janë instruktuar mua.