Kim Novak ka reaguar ashpër ndaj përzgjedhjes së Sydney Sweeney për ta portretizuar në filmin biografik Scandalous!, duke e cilësuar vendimin si “plotësisht të gabuar”.
Në një intervistë për The Times, aktorja legjendare 93-vjeçare u shpreh se nuk do ta kishte miratuar kurrë këtë casting, duke ngritur dyshime për mënyrën se si Sweeney përshtatet me rolin e saj.
Filmi do të trajtojë romancën e bujshme të viteve ’50 mes Novak dhe ikonës së muzikës Sammy Davis Jr., një histori dashurie që në ekran do të vijë përmes aktorit David Jonsson.
Novak kritikoi edhe mënyrën si Sweeney perceptohet në ekran, duke thënë se ajo “duket shumë sensuale gjatë gjithë kohës”, gjë që sipas saj rrezikon të zhvendosë fokusin e filmit drejt aspektit fizik, duke lënë në hije thellësinë emocionale të marrëdhënies së saj me Davis Jr.
Aktorja veterane theksoi se lidhja e tyre ishte shumë më komplekse dhe e ndërtuar mbi ndjenja të forta dhe përvoja të përbashkëta, jo vetëm mbi tërheqjen fizike.
Nga ana tjetër, Sweeney ka shprehur më herët admirim për Novak, duke e cilësuar si frymëzim dhe duke theksuar se ndihet e nderuar që do ta sjellë historinë e saj në ekran, sidomos për sfidat që ajo ka përjetuar në Hollywood.
Filmi pritet të jetë debutimi regjisorial i Colman Domingo.